Armët e konfiskuara në Ranillug, Foto: Policia e Kosovës

Policia zbulon arsenal armësh në Ranillug

Një sasi e madhe e armëve dhe mjeteve shpërthyese janë sekuestruar sot në një shtëpi në Komunën e Ranillugut.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në bazë të informacioneve të arsyeshme dhe në bashkëpunim dhe koordinim me Gjykatën Themelore në Gjilan dhe Policinë e Kosovës, kanë realizuar bastisje në shtëpinë e pabanuar dhe objektet përcjellëse.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se shtëpia e bastisur është pronë e të dyshuarit J.S, i cili gjatë bastisjes nuk është gjetur në vendin e ngjarjes.

“ Gjatë kontrollimit janë gjetur dhe sekuestruar dy kallashnikov, dy armë të gjata gjysmë automatike, 142 fishekë, gjashtë karikator të zbrazur të kallashnikovës, një vaj për lyerje të armës, 21  mbajtës municioni, dy motorolla të ish policisë, një jelek të ish policisë, një litar për lyerje të armës, katër granata dore, një sprej lotsjellës dhe dy shirita banderola RKS për barna.

Prokuroria ka njoftuar se për këtë rast do të vazhdohet me procedura hetimore, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje.