Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Policia tregon sa tiketa për kundërvajtje në trafik i shqiptoi më 2018

Policia e Kosovës ka publikuar sot statistika të ndryshme nga puna e saj gjatë vitit 2018.

Në mesin e të dhënave janë edhe tiketat për kundërvajtjet në trafik.

Sipas Policisë, gjatë vitit të kaluar janë shqiptuar gjithsej 400 mijë e 95 gjoba për kundërvajtje.

Po ashtu, Policia ka ofruar të dhëna për aksidentet e trafikut që kanë ndodhur në territorin e Kosovës gjatë vitit 2018.

Sipas Policisë, gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur 100 aksidente me fatalitet, në të cilat kanë vdekur 128 persona.

Sipas këtyre të dhënave, më 2018 kanë ndodhur më pak aksidente me fatalitet dhe ka pasur më pak të vdekur se më 2017 (128 aksidente me fatalitet, 137 të vdekur).

Edhe numri i aksidenteve me të lënduar më 2018 ishte më i vogël se më 2017. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 6.217, për dallim nga 6.390 në vitin paraprak.

https://kallxo.com/statistikat-e-policise-me-2018-ne-aksidente-vdiqen-128-e-u-lenduan-mbi-12-mije-qytetare/

Mirëpo, numri i të lënduarve më 2018 ishte më i madh – 12.645, për dallim nga 12.360 më 2017.

Policia thekson se në kuadër të përpjekjeve për parandalimin, vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve në komunikacion kanë implementuar projektet: “Lëvizni të sigurt në trafik”, “Për një vit më të sigurt në trafik”, “Përqendrohu në ngasje!”, “Të sigurt në rrugë gjatë dimrit”.

“Përmes njësive të trafikut dhe stacioneve policore, janë shpërndarë fletëpalosje tek pjesëmarrësit në trafik. Gjithashtu projekti është promovuar edhe në rrejte sociale dhe media, përfshirë këtu edhe ligjëratat dhe diskutimet në institucione shkollore”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, janë ndërmarrë masa shtesë duke krijuar TASK FORCË për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor.

Policia e Kosovës, ka angazhuar edhe patrullime policore me vetura civile si dhe njësi policore që operojnë me dron.