Arkiv = Foto: KALLXO.com
Policia: Tejkalimi në vijë të plotë shkaktar i aksidentit ku vdiqën tre të rinj
Shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë drejtuesi i veturës, i cili hyri në tejkalim në vendin e ndaluar.
Tre të rinj vdiqën dhe një u lëndua sot rreth orës 12:30 në rrugën magjistrale Suharekë – Shtimje, në vendin e quajtur te Giri, komuna e Suharekës.
Policia e rajonit të Suharekës jep detaje rreth këtij aksidenti, në të cilin ishin përfshirë një veturë, një kamion dhe një kamion.
“Si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident në vendin e ngjarës kanë ndërruar jetë shoferi i veturës Q. H. 1996 dhe dy pasagjerët e automjetit L.R., 1998 dhe J.T. 1999, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe (një) pasagjere që ka qenë në kamion”, ka njoftuar Policia.
Nga hetimet e para të bëra në vendngjarje nga hetuesit e njësisë së trafikut rajonal dhe Prokurorit të Shtetit bëhet e ditur se shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë drejtuesi i veturës, i cili dyshohet se ka hyrë në tejkalim në vendin e ndaluar (vijë e plotë dhe kthesë) dhe në mënyrë frontale ka goditur kamionin, i cili ishte në drejtimin e kundërt, dhe për pasojë shkaktoi aksident trafiku me fatalitet.
“Trupat e pajetë të viktimave me urdhër të prokurorit të rastit janë dërguar në mjekësinë ligjore për obduksion. Me urdhër të prokurorit të shtetit vozitësi i kamionit ndalohet për 48 orë”, njofton më tutje policia.
https://kallxo.com/tre-te-vdekur-ne-aksidentin-ne-duhel/
Gjatë ditës së sotme në një aksident tjetër me fatalitet ndodhi në rrugën Pejë-Istog, në dalje të fshatit Vitomiricë, ku mbeti i vdekur një person, ndërsa u lënduan dy të tjerë.
https://kallxo.com/63-vjecari-vdes-ne-aksdient-ne-vitomirice-te-pejes/
Policia e Kosovës edhe një herë kërkon dhe apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes, të respektojnë rregullat e trafikut si dhe të përqendrohen në ngasje.