Policia shqiptoi më shumë se 1 mijë gjoba për 24 orë

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm në 24 orët e fundit ka shqiptuar gjithsej 1,317.00 tiketa trafiku për shkelje të ndryshme nga ana e shoferëve.

Në bazë të të dhënave të policisë, në 24 orët e fundit kanë ndodhur 44 aksidente trafiku prej të cilave, dy kanë qenë me fatalitet, 28 kanë qenë pa persona të lënduar, ndërsa 14 të tjera kanë qenë me persona të lënduar.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë për aksidentin me fatalitet i cili ka ndodhur në rrugën Ferizaj- Prishtinë, ku humbi jetën një person.

Zëdhënës i Policisë, Daut Hoxha ka thënë mbrëmë për KALLXO.com se viktima ka humbur jetën në QKUK.

“Policia me njësitet e saj është duke trajtuar rastin sipas procedurave të parapara dhe pas përfundimit të hetimeve do të dihen edhe shkaqet që kanë çuar deri te aksidenti. Sipas informacioneve nga QKUK një nga të aksidentuarit nuk i ka mbijetuar lëndimeve dhe ka ndërruar jetë”, ka thënë Hoxha.

Tutje, ai ka dhënë edhe disa detaje rreth aksidentit që ndodhi dje rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë.

“Ju njoftoj se me datën 08.07.2019 rreth orës 17:00 ne rrugën nacionale Prishtinë- Ferizaj në vendin e quajtur Konjuh është shkaktuar aksident trafiku rrugor me lëndime trupore si dhe dëme materiale, ku janë te përfshira tri automjete: një Opel Vectra ngjyrë hiri, një BMW ngjyrë hiri dhe  një kamionetë Mercedes. Nga vendi i ngjarjes janë përcjell për në Emergjencë ne QKUK në Prishtinë disa persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të forcave të rendit.