Tubim i Radikalëve pa Sheshelin në Mitrovicë

Manifestimi  i radikalëve serbë në  sheshin “Vëllezërit Milliq” në  Mitrovicën Veriore është duke u mbajtur pa praninë e liderit të tyre Vojsllav Sheshel.

Siç raporton gazetari i KALLXO.com, edhe përkundër paralajmërimeve, fjalimi i Sheshel në këtë shesh nuk është mbajtur ndërsa deri më tani rreth 150 të pranishmëve nuk u është drejtuar askush.

Policia e Kosovës tha në mëngjes për KALLXO.com se Sheshelit nuk do t’i lejohet hyrja nga pikat kufitare të Kosovës ndërsa nëse do hyjë ilegalisht rrezikon të përballet me akuza për kalim ilegal të kufirit.

Lideri i radikalëve është shpallur person “non grata” nga Ministria e Punëve të Jashtme e cila me një vendim e ka ndaluar hyrjen e Sheshelit në Republikën e Kosovës.

09:39

Policia: Sheshel do të Arrestohet Nëse Hyn në Kosovë

Zëvendës Drejtori rajonal i Veriut në Policinë e Kosovës, Besim Hoti, tha sot për KALLXO.com se në pikat kufitare me Serbinë, kreut të radikalëve serbë Vojislav Sheshel nuk do t’i lejohet hyrja.

Javën e kaluar, KALLXO.com raportoi për një vendim të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, që Vojislav Sheshel të shpallet person i padëshiruar në territorin e Kosovës.

Pas paralajmërimeve se Sheshel do të vijë sot në Mitrovicën e Veriut për të mbajtur fjalim në kuadër të një tubimi parazgjedhor, Policia thotë se ka një urdhër-arresti dhe është e vendosur ta zbatojë atë.

http://kallxo.com/zyrtare-shesheli-non-grata-ne-kosove/

“Ne kemi një urdhër i cili ia ndalon hyrjen në Kosovë. Ai urdhër do të zbatohet nga zyrtarët policorë përgjegjës për pikat kufitare”, thotë Hoti.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Sheshel të hyjë në Kosovë përmes rrugëve ilegale. Por në këtë rast, sipas Hotit, ai do ta kryente një vepër tjetër penale dhe pjesëtarët e rendit do të duhet të intervenojnë sipas ligjit.

Sheshel është liruar para dy javëve nga akuzat për krime lufte në Kroaci dhe Bosnjë të ngritura nga prokuroria e Tribunali të Hagës për Krime të Luftës në ish- Jugosllavi.