Policia flet për pretendimet publike për 'planet' për vrasjen e Gani Gecit

Policia e Kosovës thotë se nuk ka pranuar kërkesë për mbrojtje nga familja Geci nga Llausha e Skenderajt.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, tha për KALLXO.com se zyrtarisht nuk kanë pranuar kërkesë nga familja Geci për mbrojtje.

“Deri më tani nuk ka kurrgjë konkrete. Nuk është raportuar as në Skenderaj diçka e tillë”, ka thënë Zahiti për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme mediat kanë publikuar një letër të familjes Geci nga Llausha e Skenderajt, përmes të cilës kjo familje kërkon mbrojtje nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare.

Ata thonë se janë të shqetësuar se dikush do ta vrasë familjarin e tyre Gani Gecin dhe nëse kjo do të realizohet atëherë ata do ta mbajnë përgjegjës presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Madje, sipas tyre nëse diçka i ndodh Gani Gecit, ata do të përgjigjen në mënyrën e njëjtë.