Ilustrim

Policia njofton se personi që u raportua se ‘po rrëmben fëmijë’, është qytetare e riatdhesuar në vitin 2011

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, për KALLXO.com, ka thënë se personi që u raportua nëpër media sociale, se po rrëmben fëmijë në qytete të Kosovës, është një grua e komunitetit rom nga Podujeva e riatdhesuar në vitin 2011 nga Belgjika.

“Me datë 23/05/2019 rreth orës 19:25 ,Patrulla e S. P. Malishevë ka bërë identifikimin e personit te quajtur  Z. S., grua / rome/ kosovare nga Podujeva dhe të njëjtën e ka shoqëruar në S. P. -Malishevë. E njëjta është pyetur rreth identitetit dhe nuk është përgjigjur ne gjuhët zyrtare të shtetit të Kosovës, por ka komunikuar vetëm në gjuhën Gjermane. Sipas verifikimeve në bazën e të dhënave të Policisë është kuptuar që e njëjta është riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, dhe është trajtuar nga punëtoret e mirëqenies sociale në Podujevë, Prizren etj., mirëpo e njëjta nuk qëndron në qendrat që e akomodojnë punëtoret e mirëqenies sociale si dhe ka qenë në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj-Vranidoll”, ka thënë Podrimaj në përgjigjen e saj.

Sipas Podrimajt, për stacionin policor në Podujevë personi në fjalë ishte i njohur por nuk ishte person në kërkim policor, ndërsa pas verifikimit të identitetit e njëjta nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal dhe është lënë e lirë.

Gjithashtu Podrimaj ka treguar se me datën 28 maj personi në fjalë ka qenë duke qëndruar në stacionin e autobusëve në Malishevë dhe  është fotografuar nga disa nxënës të shkollave të mesme, e që më pas këto fotografi janë shpërndarë në rrjete sociale me qëllim të humorit dhe talljes duke shkruar “Runu ejj rrezik nëpër shtëpia!”.