Foto: Policia e Prishtinës

Policia në Prishtinë konfiskon gjashtë armë dhe arreston tre persona

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë i ka konfiskuar gjashtë armë zjarri dhe fishekë të llojeve të ndryshme në tri raste të ndara.

Aksioni i parë është realizuar nga njësitet policore të stacionit të Lipjanit, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të A.R, 62 vjeçar tek i cili është gjetur dhe konfiskuar një revole me gaz.

“Konfiskimi i armës është bërë në fshatin Banullë të Lipjanit, ku në një aheng familjar ka pasur të shtëna me armë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dy armë të tjera dhe një sasi e substancave narkotike janë gjetur nga stacionin policorë Qendra në Prishtinë. Tek rasti i dytë është arrestuar F.M, 30 vjeçar, tek i cili policia ka gjetur dhe konfiskuar dy revole, dy karikator, 12 fishekë dhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike.

I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në një rast tjetër i cili fillimisht është iniciuar si rast kanosje në stacionin policor të Fushë- Kosovës, është arrestuar i dyshuari SH.I, 37 vjeçar për sulm dhe kanosje me armë.

Me urdhër të prokurorit janë konfiskuar një revole, dy pushkë gjuetie ( të dyja me leje), si dhe 17 fishekë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Policia ka njoftuar se vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, nga njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë janë konfiskuar 239 armë,  2584 municione të llojit dhe kalibrit të ndryshëm, dhe janë iniciuar 194 raste mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armeve.