Policia në Mitrovicë sekuestron dy armë pa leje

Dy armë janë sekuestruar dhe dy persona janë arrestuar nga policia e rajonit të Mitrovicës për armëmbajtje pa leje.

Policia ka njoftuar se ka konfiskuar dy armë në dy lokacione të ndryshme.

Sipas policisë se në njërin rast është konfiskuar një pushkë automatike nga i dyshuari F.B, 28 vjeçar.

“Policia kishte pranuar informacion se i dyshuari posedonte armë pa leje, ku pas një hetimi  me datë 29 shtator, i dyshuari e ka vetë dorëzuar armën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa rasti i dytë i konfiskimit të një pistolete është raportuar  në rajoni e Vushtrrisë.

“ Pas informacionit të pranuar për të shtëna me armë zjarri, njësitet policore kanë identifikuar lokacionin dhe kanë arrestuar të dyshuarin G. K., 43 vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng familjar, nga i njëjti është konfiskuar një armë të llojit pistoletë”, njofton policia.

Dy persona e dyshuar për këto dy raste pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka njoftuar se ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim i armës”.