Policia në aksion, kontrollon 100 motele e bujtina

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka filluar një operacion në tërë vendin, ku në shënjestër janë veprimtaritë e kundërligjshme në objekte hoteliere.

Sipas njoftimit, Policia ka zhvilluar planin operacional në drejtim të identifikimit të të gjitha objekteve hoteliere, moteleve (bujtinave), në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Cak sot kanë qenë mbi 100 objekte.

“Ky aktivitet është zhvilluar duke përdorur edhe resurset tjera institucionale në bashkëpunim me institucionet përkatëse që kanë për domen këtë fushë të veprimtarisë ekonomike. Për bashkërendim të procedurave ligjore janë kontaktuar të gjitha prokuroritë kompetente në të gjitha regjionet e Republikës së Kosovës”, njofton policia.

Policia ka njoftuar se kontrolli do të realizohet në të gjitha lokalet e këtij lloj biznesi (të regjistruara dhe të paregjistruara) dhe në fazën e parë në fokus të operacionit janë objektet-bizneset që kanë frekuentim më të madh të klientëve, ndërsa operacioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

“Në këtë operacion policor janë të përfshira të gjitha njësitet kompetente policore dhe ato të specializuara për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, njësitet kundër trafikimit me qenie njerëzore, pastaj inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës. Operacioni i sotëm ka filluar në orën 10:00 dhe deri në këtë kohë të raportimit çdo gjë është duke u zhvilluar sipas planifikimeve paraprake”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me rezultatet e deritanishme, Policia ka njoftuar se janë identifikuar tri lokale që operojnë ilegalisht, gjithashtu gjatë kësaj faze të operacionit është takuar edhe një shtetas i huaj i cili kishte në posedim substancë të dyshuar narkotike dhe gjësende tjera (pajisje elektronike-kompjuter) që dyshohet të jenë produkt i veprës penale.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitetet e saj dhe operacionet policore në funksion të luftimit të dukurive negative të të gjitha llojeve, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar të involvuar në aktivitete të kundërligjshme:, thuhet në njoftim.