Aktiviteti i Policisë për Ditën e Fëmijëve - Foto: KALLXO.com

Policia Nderon me Aktivitet Fëmijët në Ditën e Tyre

Sipas Policisë, qëllimi i këtij aktiviteti, që u organizua në sheshin “Zahir Pajaziti”, është t’u tregohet fëmijëve që ata bëjnë mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e qytetarëve.

Gjatë këtij aktiviteti parakaluan motoristët dhe çiklistët më të dalluar të Policisë, të cilët u duartrokitën nga shumë fëmijë të mbledhur.

Aktiviteti më tej vazhdoi me disa pika vallëzimi dhe këndimi të përgatitura nga fëmijët.

Majori Baki Kelani në një ligjëratë gjatë këtij aktiviteti ka thënë se Policia është e angazhuar maksimalisht për t’u ofruar siguri dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, në veçanti fëmijëve.

“Policia e ka organizuar këtë aktivitet për ju fëmijë të dashur për t’ju treguar se Policia e Kosovës është 24 orë në shërbimin tuaj. Ka qenë, është dhe do të jetë edhe në të ardhmen 24 orë në kujdes dhe angazhim për t’ju ofruar siguri dhe për t’i mbrojtur të drejtat e juaja”, ka thënë Kelani.

Po ashtu, Kelani shprehu shqetësimin tij në lidhje me shfrytëzimin e fëmijëve për të kërkuar lëmoshë dhe braktisjen e shkollave.

“Policia  e Kosovës e ka ndjerë një obligim që sot t’ju kushtojë një ditë një gjenerate më të mirë dhe më të shndritshme të Kosovës. Ne e dimë që në një mënyrë shumë fëmijë shfrytëzohen apo keqpërdoren nëpër rrugët e Kosovës, duke kërkuar lëmoshë edhe pse ne e dimë që ata duhet të jenë nëpër bankat shkollore”, ka thënë Kelani.

Ai më tutje tha se Policia e Kosovës së bashku me prindërit e fëmijëve do të angazhohen që këta fëmijë t’u kthehen bankave shkollore.

“Pra Policia e Kosovës me aktivitetet e saj të pandërprera po mundohet që pikërisht edhe atë numër të asaj kategorie që t’i kthejë në bankat shkollore. Të angazhohemi së bashku me prindërit në mënyrë që të kthehen aty ku e kanë vendin”, tha major Kelani.

Policia e Kosovës organizoi aktivitet për fëmijët për nder të 1 Qershorit – Foto: KALLXO.com

Ndërsa Mentor Cakolli, pjesëtar i Policisë së Kosovës, u ka bërë thirrje prindërve të kujdesen më shumë për fëmijët e tyre në përdorimin e internetit dhe rrjetet sociale në përgjithësi.

“Dëshiroj prindër të nderuar me nda me juve shqetësimin e Policisë se mungesa e mbikëqyrjes adekuate ndaj fëmijëve në përdorimin e rrjeteve sociale është duke shkaktuar shumë probleme. Në shumicën e shkollave të ciklit parauniversitar në një farë forme kemi probleme në mes të bashkëmoshatarëve pikërisht për shkak të keqpërdorimit të fëmijëve të teknologjisë informative, andaj me mirësjellje kërkoj nga të gjithë prindërit që të shtojnë kujdesin apo mbikëqyrjen e fëmijëve të tyre gjatë përdorimit të rrjeteve të tyre sociale dhe internetit në përgjithësi”, ka thënë Cakolli.

Më 1 qershor 1925 në Gjenevë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve dhe kjo datë njihet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.