Policia Kufitare Përdor E-mail të Pavlefshëm në Dokumente Zyrtare

Siç  shihet në një rast të raportuar në KALLXO.com, policia e udhëzoi regjisorin nga Shqipëria Bashkim Rodonin që ankesën e tij ta dërgojë në një e-mail jofunksional.

Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt Rodoni kishte tentuar të hynte në Kosovë, por në pikën e Vërmicës atij iu ndalua hyrja në Kosovë me arsyetimin se ai paraqet rrezik për rendin dhe qetësinë  publike.

Ditën e përvjetorit të pavarësisë partitë opozitare kishin paralajmëruar një protestë dhe kjo besohet të ketë qenë arsyeja pse disa shtetas të Shqipërisë që supozohej se do i  bashkëngjiteshin protestës u ndaluan të kalonin kufirin.

http://kallxo.com/ndalim-apo-arrestim-i-udhetareve-nga-shqiperia/

Në një intervistë për KALLXO.com regjisori shqiptar pretendon se qëllimet e vizitës së tij ishin familjare dhe profesionale.

“Qëllimi i vizitës ka qenë filmimi i protestave mbarëpopullore për rrëzimin e marrëveshjeve me Serbinë për komunat me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi,” thotë Rodoni.

Rodonit iu kërkua të nënshkruajë një dokument ku thuhej se i ndalohej hyrja sepse konsiderohet kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare.

Dokumenti i Policisë Kufitare
Dokumenti i Policisë Kufitare

Në dokumentin e lëshuar nga Policia Kufitare në fund të faqes së dytë shkruan si këshillë ligjore se mund të bësh ankesë brenda 8 ditëve.

Ankesa mund të bëhet në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në e-mailin [email protected].

Rodoni thotë se sipas udhëzimit në këtë e-mail e kishte dërguar ankesën e tij, por nuk mori përgjigje.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme i konfirmuan KALLXO.com se e-maili i  cili figuronte në një dokument zyrtar të policisë nuk është në funksion.

“Në formularin ‘refuzim i hyrjes në kufi’ është përvjedhur një gabim teknik, të cilin e kemi adresuar tek Policia Kufitare, i cili gabim teknik tashmë është përmirësuar,” thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

KALLXO.com përmes e-mailit ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por ata nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për udhëzimet e gabuara të policisë. [interaction id=”56d5d1894ab46a0103578819″]