Ilustrim: Drogë e konfiskuar - Foto: Policia e Kosovës

Policia Konfiskon 45 Kilogramë Drogë

Policia e Kosovës gjatë një operacioni të zhvilluar në rajonin e Mitrovicës ka konfiskuar 45 kilogramë substancë narkotike.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

“Policia ka zhvilluar një operacion, i cili ka rezultuar i sukseseshëm pasi që është konfiskuar një sasi prej 45 kilogramë substanca narkotike”, tha zëdhënësi Hoxha.

Sipas zëdhënësit të Policisë, operacioni është ndërmarrë në rajonin e Mitrovicës.

Përveç drogës, Policia gjatë operacionit ka konfiskuar edhe disa celularë dhe një veturë të tipit “Golf”.

“Tre persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Daut Hoxha për KALLXO.com.

Ndërsa, sipas një komunikate të Policisë, të publikuar para pak çastesh, gjatë operacionit në fjalë, që është realizuar dje, janë konfiskuar 45,8 kilogramë substancë narkotike dhe janë arrestuar në flagrancë tre persona, dy prej të cilëve shtetas të Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës.