Policia Kërkon Xhelal Sveçlën për Veturat e EULEX-it
Në bazë të një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, policia është vënë sot në ndjekje të një varg anëtarësh të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe Xhelal Sveçla që tash mban pozitën e Drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.
Ekipi i KALLXO.com ka siguruar pamje ekskluzive në të cilat shihen zyrtarët policorë duke e kërkuar Sveçlën sot në mëngjes.
Ai është kërkuar në shtëpinë e tij e po ashtu pas orës 8 edhe në zyrat e tij të punës në komunën e Prishtinës, por policia nuk kanë mundur ta gjejnë.
Florie Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës, konfirmoi për KALLXO.com se policia nuk ka arritur ta gjejë gjetur Sveçlën për ta sjellë në gjykatë.
“Policia e ka njoftuar gjykatën për këtë”, tha zëdhënësja Ahmeti.
Sveçla dhe 26 persona të tjerë është paraparë që të paraqiten sot para gjykatës së Prishtinës për t’u gjykuar për ngjarjet e gushtit 2009 kur disa aktivistë të Vetëvendosjes kishin dëmtuar disa makina të EULEX-it.