Foto: Ilustrim

Policia Jep Detaje për Sulmin ndaj Konsullatës Turke

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona nën dyshimin se janë autorët e sulmit ndaj Konsullatës Turke në Prizren.

Në një komunikatë, Policia njofton se sot rreth orës 4:20 ka pranuar informacionin se disa persona të dyshuar kanë hedhur koktej mollotovi në objektin e Konsullatës turke në Prizren dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.

“Nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar gjatë këtij sulmi, përderisa ka pasur disa dëme të vogla materiale”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës, në koordinim me të gjitha njësitë tjera relevante të rajonit të Prizrenit dhe prokurorinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar në këtë rast.

Njësitet e forenzikës kriminalistike të Policisë kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes duke u bazuar në dëshmi dhe video inçizime relevante për procedim sa më profesional të rastit, zbulimin e tij dhe identifikimin e kryesve të përfshirë.

“Në vendin e ngjarjes si dëshmi janë sekuestruar: një shishe qelqi e tymosur e pathyer, ngjyrë e kaftë, copëza qelqi të thyera në vend të ngjarjes, një pjesë e kubëzës së betonit dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Po ashtu, në të thuhet se hetuesit rajonalë policorë pas një hetimi të shpejtë dhe profesional, duke u bazuar edhe në analizimin e kamerave të sigurisë në terren, kanë arritur që ta identifikojnë automjetin e dyshuar të involvuar në rast dhe të njëjtin e kanë ndaluar në rr. “Edit Durham” në Prizren.

“Gjatë kontrollit në automjet janë identifikuar tre personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast. Policia ka konfiskuar për ekzaminim edhe automjetin e dyshuar si dhe në funksion të mbledhjes së informacioneve dhë dëshmive tjera janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme, me ç’rast për në polici janë shoqëruar edhe dy persona tjerë të dyshuar”, thekson komunikata e Policisë.

Ndaj pesë personave të dyshuar është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

Ndërkohë, sulmin e mëngjesit të sotëm e ka dënuar edhe Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla të shëmtuara, në radhë të parë kanë për synim që të dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe të lëndojnë miqësinë e saj me shtetet partnere”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë, në të cilën u bëhet thirrje autoriteteve kompetente që të zbardhin motivet dhe kryesit të nxirren para drejtësisë.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e plotë për thellimin e bashkëpunimit dhe të raporteve miqësore me Republikën e Turqisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Gjatë ditës, sulmin e kishte dënuar edhe Ministria e Jashtme e Kosovës.

http://kallxo.com/mpj-denon-sulmin-kunder-konsullates-turke-ne-prizren/