Ilustrim

Policia jep detaje për përleshjen me armë me grabitësit në Gjakovë

Një përleshje me armë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 02:00 në rrugën “Konferenca e Bunjajut” në Gjakovë.

Policia ka njoftuar se policia gjatë patrullimit ka vërejtur një rast të vjedhjes në progres nga katër persona të dyshuar.

Njësitet policore kanë reaguar duke ndërmarrë veprimet policore me qëllim të parandalimit dhe  arrestimit të personave të dyshuar, por të dyshuarit në momentin kur kanë vërejtur njësitet policore kanë tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes.

Tutje policia ka sqaruar  se zyrtarët policor kanë pësuar lëndime të lehta trupore  pasi të njëjti me qëllim të parandalimit të ikjes ka ndërmarrë veprimet operacionale policore  për ta parandaluar ikjen e të dyshuarve me veturën e tyre, me ç ‘rast personat e dyshuar në shenjë rezistimi gjatë ikjes kanë goditur automjetin zyrtar.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit duke vërejtur masat e ndërmarra nga njësitet policore duke iu pamundësuar ikjen me automjetin, të njëjtit kanë dalë nga automjeti i tyre dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.

“Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje dhe në realizim të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, iu janë kundërpërgjigjur sulmeve me armë zjarri dhe njëkohësisht kanë vazhduar ndjekjen e personave të dyshuar”, njofton policia.

Tutje, policia ka njoftuar se në ndjekje e sipër në rrethana mjaft të rrezikshme zyrtarët policorë pas dy kilometrash kanë arritur ta ndalojnë dhe të arrestojnë njërin nga të dyshuarit, M.R. 27 vjeçar, ndërsa tre persona tjerë të dyshuar gjenden në arrati dhe në kërkim policor.

Të gjitha njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur të gjitha provat e mundshme materiale, si dhe kanë konfiskuar automjetin e përdorur nga ana e të dyshuarve.

Me urdhër të prokurorit të shtetit personi i arrestuar është ndaluar, përderisa hetimet intensive po vazhdojnë në kërkim të të dyshuarve tjerë.

Vlen të potencohet se policët e lënduar tek pas përfundimit të aksionit policor kanë marrë trajtimin mjekësor.

KALLXO.com raportoi më herët për përleshjen e policisë në Gjakovë.

https://kallxo.com/gjakove-policia-perleshet-me-arme-me-hajnat/

.