Aksidenti në Gllamnik - Foto: KALLXO.com

Policia Jep Detaje për Aksidentin e Mbrëmshëm me Fatalitet

Policia ka dhënë detaje rreth aksidentit që ndodhi mbrëmë rreth orës 18:00 në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë, saktësisht në fshatin Gllamnik, ku nga lëndimet e marra vdiq një këmbësor.

Sipas Policisë, në këtë aksident kanë qenë të përfshirë dy automjete, një kamionetë e tipit “Ford” dhe një veturë BMW, dhe një këmbësor.

Këmbësori nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për këtë aksident tragjik raportoi mbrëmë KALLXO.com.

http://kallxo.com/aksident-fatalitet-ne-magjistralen-prishtine-podujeve/

Policia njofton se lidhur me këtë aksident ngasësi i kamionetës, B.B. 22 vjeç, është shoqëruar në stacionin policor dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Gjithashtu me urdhër të prokurorit të dyja automjetet e përfshira në aksident janë konfiskuar nga ana e policisë.

Ndërsa  trupi i viktimës A. M. 28 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.