Policia interviston të dyshuar për betonimin e autostradës nga familja e zëvendësministrit të AAK-së

Drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova ka thënë se rasti i gjetjes së hulumtimit të KALLXO.com e cila zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan, është rast i shënjestruar dhe është duke u hetuar, por që ende nuk ka ndonjë person të arrestuar.

Në shkurt të këtij viti, në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan gjetjet e një hulumtimi katër mujor i cili zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan.

Hulumtimi zbulon se kompania “Pro-Eng”, pronë e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu furnizimin me beton për autostradën Prishtinë-Gjilan e bën përmes disa kompanive të nën kontraktuara.

Edhe vet Kadriu për “Drejtësia në Kosovë” e ka pranuar se kompania e familjes së tij furnizon me beton kompaninë “Morava-Mont”, e cila furnizon me beton punimet në autostradën Prishtinë- Gjilan.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com kishte kërkuar nga ana e policisë të dije se çfarë masash kanë ndërmarrë pas këtyre gjetjeve.

Ata shkurt janë përgjigjur se janë duke e hetuar rastin.

Gjatë ditë së sotme, KALLXO.com ka pyetur prapë policinë në lidhje me masat dhe zhvillimet e hetimeve për këtë rast.

Drejtori Shillova për KALLXO.com ka thënë se rasti i keqpërdorimeve në autostradën në Gjilan është rast i shënjestruar.

“E përmendët edhe ju rastin, fatkeqësisht nuk mund të jap detaje për shkak se është ende nën hetime. Kemi kryer hetime dhe kemi prokuror të caktuar në lidhje me këto dy raste që përmendët, rasti i parë që përmendët është rast i shënjestruar, i cili akoma është në procedurë dhe është një ekip siç e dini që vendos për këtë çështje. Policia ka grumbulluar dokumentacion përkatës, që ka të bëj me dyshimet për këtë rast ka intervistuar persona edhe dëshmitarë, edhe të dyshuar lidhur me rastin dhe më tutje presim autorizime të tjera edhe nga prokuroria. Rasti është në faza të hershme nuk kemi ende ndonjë veprim operacion, apo persona të arrestuar, por besoj se do të ec mirë, po shpresojmë që do të zbardhim të gjitha dilemat që kanë të bëjnë për këtë rast”, tha Shillova.

https://kallxo.com/reagimi-i-ramush-haradinajt-kur-kupton-se-famijla-e-zv-ministrit-te-aak-se-eshte-e-perfshire-ne-ndertimin-e-autostrades/

https://kallxo.com/rrjeti-i-kompanive-te-familjareve-te-aak-se-betonojne-autostraden-prishtine-gjilan/

https://kallxo.com/betonimi-i-autostrades-nga-njerezit-e-aak-keshilltari-i-pal-lekajt-tenton-te-pengoje-ekipin-e-drejtesia-ne-kosove/