Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia identifikon 86 fëmijë lëmoshëkërkues

Policia e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të një  plani operativ kanë identifikuar 86 fëmijë lëmoshëkërkues dhe kanë inicuar 15 raste për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”.

“Plani  Operativ “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit” realizuar gjatë muajit Qershor 2018,  është zbatuar në gjithë  territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë periudhën kohore  nga data 11.06.2018 deri me datë 30.06.2018, nga të gjitha njësitë e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore (DHTQNJ-së)  dhe akterët tjerë relevant” thuhet në njoftimin e Policisë

Policia ka njoftuar se gjatë realizimit të operacionit janë identifikuar 58 lëmoshkërkues të Republikës së Shqipërisë dhe 28 Shtetas të Republikës së Kosovës.

“ Të gjithë të identifikuarit, fëmijë në situatë rruge  kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente që kanë vërtetuar identitetin e tyre dhe  lidhjen familjare. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve  në situatë rruge i’u  është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshë kërkuesve dhe janë intervistuar  familjaret e tyre me qellim të identifikimit të Viktimave potenciale të Trafikimit me Njerëz dhe janë  trajtuar sipas Procedurave Standarde te Veprimit për Viktimat e Trafikimit me Njerëz” thuhet në njoftimin e policisë

Policia ka njoftuar se asnjëri nga fëmijët nuk ka  rezultuar që të jenë viktimë e trafikimit me njerëz.

“ Shtetasit e huaj  janë dorëzuar  në  njësinë përkatëse, Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj dhe Njësive të Migrimit në drejtoritë rajonale të policisë Kufitare, që të  vazhdojnë me veprime  bazuar  në  Ligjin për të huaj” njofton policia.

 Ndërsa për Shtetasit Kosovar, në konsultim me Prokurorit përkatëse, janë inicuar 15 raste “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” dhe janë dorëzuar Kallëzime penale kundër prindërve të fëmijëve lëmoshë kërkues.