Policia: I Inskenuar Rrëmbimi i 11 Vjeçit në Shtime

Policia Rajonale në Ferizaj përmes një komunikate për media ka njoftuar se rasti i rrëmbimit të 11 vjeçit në Shtime është i inskenuar.

Në njoftimin e policisë thuhet se hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve gjatë marrjes në pyetje të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve dhe nxjerrjes së video –incizimeve në disa lokacione në qytetin e Ferizajt, kanë arritur në përfundim se nuk bëhet fjalë për rrëmbim.

“Sot në praninë e punëtorit social dhe të psikologes është intervistuar i mituri E.T, i cili ka pranuar se rasti është inskenuar. Sipas tij, rastin e ka inskenuar bashkë me dy djemtë e axhës së tij V.T 21 vjeç, dhe D.T  19 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar se i mituri, E.T. gjithashtu ka deklaruar se rastin e kanë inskenuar me qëllim që i njëjti të përfitojë dokumentacionin valid të shtetit të Belgjikës.

“Pas grumbullimit të të gjitha provave, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, janë vënë në kërkim të kushërinjve të të miturit, por sipas familjarëve të tyre ata tashmë ishin kthyer në Belgjikë me të njëjtën veturë me të cilën edhe e kishin inskenuar rastin e rrëmbimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa babai i të miturit i ka thënë policisë se nuk ishte në dijeni për inskenimin e rrëmbimit.

“Policia ka intervistuar edhe babanë e të miturit, A.T, i cili e ka pranuar dhe vërtetuar se rasti është inskenuar, por sipas tij, ai nuk kishte qenë në dijeni”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me hetimet e këtij rasti, është njoftuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në mënyrë të rregullt si lajmërim apo kallëzim i rremë.

KALLXO.com shkroi të hënën se njëmbëdhjetëvjeçari ishte paraqitur vetë në polici, ndërsa atë ditë kishte deklaruar se u kishte ikur rrëmbyesve.