Foto: Ilustrim

Policia Evidentoi Disa Raste Penale

Policia e Kosovës ka realizuar me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, që kishte për qëllim ofrimin e sigurisë si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para,  gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve në tërë territorin e vendit.

Sipas Policisë, vlerësuar në aspektin e sigurisë, në përgjithësi procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, të cilat në një mënyrë apo tjetër nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në Policinë e Kosovës në gjithë territorin e vendit janë evidentuar disa raste penale, si dhe katërmbëdhjetë incidente të natyrave të ndryshme, të cilat Policia i ka trajtuar dhe menaxhuar me sukses sipas procedurave të parapara ligjore.

Vlen të potencohet se Policia Kufitare sot rreth orës 12:40 në hyrje të Kosovës, në Jarinjë, kanë ndaluar për kontroll një autobus udhëtarësh me targa KG, në të cilin janë  gjetur mjete të dyshimta shpërthyese.

“Pas verifikimit të mjeteve të dyshuara ka rezultuar të jenë dy granata dore dhe dy detonatorë elektrikë, të cilët në mënyrë të kontrolluar janë larguar nga njësitet kompetente”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Si rezultat i punës dhe veprimeve të zyrtarëve policor lidhur me këtë rast janë shoqëruar tre persona të dyshuar serb në stacion policor.

Lidhur me këto raste në cilësinë e personave të dyshuar me vendim të prokurorit kompetent  janë ndaluar pesë persona.

Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorët kompetentë.

KALLXO.com raportoi sot për ndalimin e autobusit që hyri nga Serbia në pikën kufitare në Jarinje, në të cilin u gjetën granata dore e eksploziv.