Policia e Kosovës i Quan 'Politike e Tendencioze' Akuzat e Rexhep Selimit

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, të bëra sot gjatë seancës së Kuvendit.

“Drejtori i Policisë së Kosovës nuk duhet t’i mbrojë vartësit që kryejnë veprat penale”, ishte deklarata e deputetit Rexhep Selimi, e cila e bëri PK-në të reagojë, duke i quajtur këto akuza “të pavërteta, politike dhe tendencioze”.

Policia e Kosovës tha se janë të përkushtuar në zbatim të ligjit dhe në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve konform autorizimeve ligjore, dhe në asnjë rast të vetëm nuk mbrojnë asnjë punonjës apo vartës që mund të bie ndesh me ligjin.

“Sa u përket dyshimeve dhe hipotezave të ngritura nga deputeti Selimi, se kinse drejtori i Policisë së Kosovës po i mbron vartësit që kanë kryer vepra penale, ju sigurojmë se këto deklarime janë të pavërteta dhe tendencioze”, thuhet në reagimin e PK-së.

Në reagimin e PK-së më tutje thuhet se vlerësimet e tyre të njëpasnjëshme qëndrojnë shumë lart dhe këtë e dëshmojnë raportet vlerësuese të bëra nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare”.

“Ndër vite vlerësohemi si institucioni më kredibil, jo vetëm në vend por edhe rajon dhe ky vlerësim është arritur falë punës së devotshme dhe profesionale të të gjithë zyrtarëve policorë nën udhëheqjen e menaxhmentit të PK-së”, thuhet në reagim.

“Policia e Kosovës dhe menaxhmenti i saj janë të përkushtuar në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës, krahas etikës së lartë, integritetit dhe vlerave që ka PK-ja, ku në vazhdimësi jemi shquar për efikasitet edhe në trajtimin e rasteve kur pjesëtarët e PK-së janë dyshuar për aktivitet të kundërligjshëm. Sidoqoftë, veprimi individual i cilitdo zyrtar policor nuk mund të zbehë imazhin e organizatës policore”, thuhet në fund të reagimit.

Në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, deputeti Rexhep Selimi ka polemizuar me Ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, për Policinë e Kosovës dhe IPK-në.

http://kallxo.com/deputeti-e-ministri-polemizojne-per-situaten-ne-polici-dhe-inspektoratin-policor/