Ilustrim - Foto nga një rast i grabitjes në Prishtinë - Ilustrim

Policia e Kosovës përballë grabitjeve

Tash e disa muaj, në raportin ditor të Policës së Kosovës, gati se çdo ditë është raportuar për një ose më shumë raste të grabitjeve në vendin tonë.

Ditëve të fundit kishte edhe raste, kur brenda një ore kanë ndodhur dy grabitje të njëpasnjëshme, në po të njëjtin rajon, siç ndodhi para katër ditëve në Pejë.

Me datën 5 shkurt, në Pejë ndodhi një grabitje dhe një tjetër mbeti në tentativë.

Sipas Policisë personi i cili e kreu grabitjen në ‘Western Union’ dyshohet se është i njëjti person i cili tentoi grabitjen në “Lute Credit”.

Nga një pikë të ‘Western Unionit’ grabitësi arriti t’i merrte rreth 4 mijë e 500 euro sipas deklaratës së punëtores së dhënë në polici.

Disa nga këto raste të grabitjeve, nuk është se kanë përfunduar vetëm me një shumë të parave të vjedhura.

Në grabitjet e fundit të ndodhura në vendin tonë, tre persona kanë humbur jetën, njëri prej tyre zyrtar policor, e dy të tjerë, plaçkitës të cilët tentuan të grabisnin.

Njëri nga ta është vrarë, pasi që pronari i një shtëpie në Prishtinë e kishte qëlluar nën dyshimin se i njëjti po tentonte t`i grabiste shtëpinë.

Ndërsa, polici Izet Demaj u vra më 27 dhjetor 2018, në një përleshje me një person të armatosur, i cili kishte hyrë për të grabitur një bankë në qytetin e Istogut.

Demaj u vra gjatë përpjekjes për t’i liruar disa persona të cilët ishin marrë peng nga grabitësi. Në po të njëjtin rast është vrarë edhe plaçkitësi, i cili kishte tentuar të kryej grabitjen në një bankë në Istog.

Pas vdekjes së tre personave në grabitjet që kanë ndodhur në vendin tonë, Policia e Kosovës është munduar që të rris masat për parandalimin e këtyre veprave.

Në fillim të muajit shkurt, zyrtarë policorë janë pajisur me armë të gjata të cilat do t’u nevojiten për kontrolle dhe patrullime.

Sipas ekspertit të sigurisë, Ramadan Qehaja, vendimi për pajisjen e zyrtarëve policorë me armë të gjata është vendim i vonuar nga ana e Policisë së Kosovës.

Ai në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se çështja e grabitjeve dhe pajisja e policëve me armë të gjata do të duhet të trajtohej shumë më herët.

“Ky vendim është i duhur, por është i vonuar. Kjo nuk është vlerësuar me kohë, prandaj është masë e vonuar, dhe nuk e di nëse janë të shkathët ata polic të punojnë me armë të krahut”, ka thënë Qehaja.

Qehaja thotë se varfëria në vendin tonë ka ndikim mjaftë të madh në grabitjet që kanë ndodhur kohëve të fundit në vendin tonë.

“Sipas mendimit tim kjo ndodhë për shkak të varfërisë që e ka kapluar një pjesë të popullatës sonë. Pra varfëria e bën këtë. Njerëz të cilët detyrimisht merren me këtë punë për të ekzistuar i bëjnë këto vepra penale, dhe jo vetëm me dëme materiale, aty ku bëjnë vjedhje dhe thyerje, por edhe njerëz po vdesin”, ka thënë Qehaja.

Qehaja thotë se nuk janë marrë masat preventive të duhura për të mos ndodhur këto gjera.

Ai është shprehur duke thënë se duhet t’i dimë metodat dhe mënyrën se si po ndodhin grabitjet, kush janë institucionet të cilat e bëjnë këtë vlerësim dhe si do të parandalohet kjo.

Sipas tij, këtu ndikon edhe përvoja e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Duhet të kthehemi mbrapa dhe të pyeten disa njerëz të cilët kanë punuar më herët edhe në sistemin e kaluar se si janë kryer disa punë. Sepse i kemi policët pa përvojë, të cilët kanë shkollë të kryer por nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Qehaja.

“Gjërat nuk po na ecin, unë mendoj se këtu duhet të këndellet Policia e Kosovës, udhëheqësia e Policisë së Kosovës të bëjë analiza të duhura, prokuroria dhe gjykata të jenë efektive, për çdo rast me qenë të gjithë në këmbë që ne t`i parandalojmë këto gjëra dhe të mos i lejojmë të përsëriten me vonë”, shprehet Qehaja.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, numri i vjedhjeve ka shënuar rritje, pasi sipas statistikave, gjatë vitit 2017 janë raportuar 5737 vjedhje, ndërsa gjatë vitit 2018, kanë ndodhur 5841 vjedhje.

Sipas matjeve përmes Barometrit Kosovar të Sigurisë,  rreth 65% e qytetarëve të intervistuar kanë deklaruar se plaçkitjet paraqesin rrezik të madh për sigurinë në vend.

Sipas Donika Eminit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, rritja e numrit të rasteve ndërlidhet me mos reagimin e Policisë së Kosovës në lidhje me këto raste.

Emini ka thënë për KALLXO.com se nëse analizohen të gjitha rastet e plaçkitjeve, sidomos ato që kanë ndodhur kohëve të fundit, vetëm në rastin e Istogut ka pasur intervenim dhe ballafaqim të drejtpërdrejtë në mes të plaçkitësve dhe policisë.

“Deri më tani pothuajse të gjitha rastet tjera nuk kanë arritur të kapen nga Policia e Kosovës, dhe  kjo tregon që këto grupe kanë nivel të lartë të profesionalizmit. Gjithashtu vihet në pikëpyetje menjëherë se si këto grupe posedojnë informacion se pikat ku ata synojnë këto vjedhje janë të sigurta”, thotë Emini.

Sipas saj, faktor tjetër është fakti që Policia e Kosovës nuk ka qene efektive në zbulimin e rasteve të tilla, dhe kjo ka krijuar hapësirë të favorshme për këto grupe të organizuara të vazhdojnë plaçkitjet.

Emini thotë se rastet e grabitjeve do të duhej të jenë thirrje e zgjimit për menaxhmentin e policisë për t’i trajtuar këto raste me më shumë seriozitet dhe prioritet.

Problem tjetër të cilin e hedhë në pah dukuria e grabitjeve sipas Eminit është edhe mungesa e bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe Kompanive Private të Sigurisë në Kosovë, të cilat janë të kontraktuara nga bizneset, në këtë rast bankat, për të ofruar shërbime të sigurisë.

“Kompanitë janë të obliguara që të gjitha informacionet t`i ndajnë me Policinë e Kosovës, këtu bëhet fjalë më konkretisht për dëshmi nga kamerat që këto kompani i kanë të vendosura nëpër banka si dhe informacione të tjera të rëndësishme për të zhvilluar hetimet e grumbulluara nga stafi i këtyre kompanive në terren”, thotë Emini.

Sipas hulumtimit të QKSS-së, rreth 90% të qytetarëve kërkojnë prani më të shtuar të policisë nëpër rrugë, kurse 85% besojnë se vendosja e kamerave do të ndihmonte edhe më tej në ngritjen e sigurisë publike.

Dukuria në rritje e grabitjeve, po konsiderohet shqetësuese edhe nga ana e Gjykatës së Apelit. Sipas tyre, rritja e dënimeve për këtë vepër penale, është praktikë gjyqësore.

“Gjykata nuk mund të predikoj se çfarë do të ndodhë me rastet në procedim e sipër, apo rastet që do të vinë, pasi që secili i ka karakteristikat e veta. Por është praktikë gjyqësore që kur një dukuri penale rritet, ashpërsohen edhe politikat ndëshkimore, si mjet për parandalimin e saj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Apelit.