Policia e Kosovës, marrëveshje me Departamentin Policor të New Yorkut

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga stafi i tij, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë realizuar takim me Komesarin e Policisë së New Yorkut, James P. O’Neill.

Gjatë vizitës së tyre, Qalaj së bashku me stafin  e tij kanë realizuar vizita në Akademinë Policore, departamente të ndryshme, Homland Security (Doganë dhe Polici Kufitare), si dhe në muzeun memorial.

Gjatë kësaj vizite Policia e Kosovës ka njoftuar se u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi.

“Sot nga Qalaj dhe komesari O’Neill u  nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, i cili vlerësohet si i pari me vendet e ballkanit. Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi synohet vendosja e bashkëpunimit sa më cilësor, në shkëmbimin e informacioneve policore, në luftën kundër krimit të organizuar, krimit trans-kufitar, parandalimin e kriminalitetit, veçanërisht në format komplekse të krimit të organizuar, krimit me elemente ndërkombëtare si dhe veprave tjera penale, përfshirë edhe shkëmbimin e praktikave më të mira policore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje në njoftim thuhet se me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy vendet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme të të dy policive në të gjitha fushat policore si dhe nevojën e avancimit të bashkëpunimit të mëtejmë edhe në të ardhmen.