Një vajzë duke pastruar xhamat e një automjeti në Prishtinë. Foto: REL

Policia e Kosovës identifikon 29 fëmijë lëmosh-kërkues

Policia e Kosovës, gjatë javës së kaluar ka filluar së zbatuari planin operativ “Identifikimi i fëmijëve lëmosh-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit”.

Policia ka njoftuar se në kuadër të këtij plani i cili është shtrirë në të  gjithë territorin e Kosovës, janë identifikuar 29 fëmijëve lëmoshë-kërkues , nga të cilët 21 kanë qenë  shtetas të Kosovës dhe tetë shtetas të Shqipërisë, janë identifikuar edhe 13 persona të dyshuar për këto raste.

Në njoftimin e policisë thuhet se të gjithë fëmijët lëmoshë kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjaret e tyre, dhe gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar  asnjë viktimë e trafikimit.

Sipas policisë, shtetasit e huaj i janë dorëzuar  Drejtorisë për Migrimi dhe të Huaj që të vazhdojnë me veprime  bazuar në  Ligjin për të Huaj, ndërsa shtetasit kosovar, në konsultim me prokurorët përkatëse, janë iniciuar 10 raste ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’.

Në realizim të këtij plani, përpos Njësive të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë qenë të përfshirë edhe: Prokuroritë  e rajoneve përkatëse,  Qendrat për Punë Sociale,  Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së dhe Njësitë policore nga  stacionet policore përkatëse.

Tutje policia ka njoftuar se do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale, përfshirë keqtrajtimin e fëmijëve dhe trafikimin me njerëz.