Baki Kelani

Policia e Kosovës: Gruaja rome nuk është e përfshirë në asnjë vjedhje

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ka dalë me një deklaratë për të sqaruar se gruaja e komunitetit rom, e cila po sulmohet nga qytetarët, është verifikuar nga policia dhe se pretendimet për rrëmbim fëmijësh nuk qëndrojnë.

Në njoftimin e policisë thuhet se ky reagim vjen pas shqetësimeve dhe sulmeve të drejtuara ndaj gruas rome nga Podujeva, e cila po vazhdon të sulmohet dhe linçohet në forma të ndryshme edhe në rrjete sociale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka publikuar një deklaratë me video në të cilën sqaron rastin e viktimës e cila është sulmuar sot për herë të dytë nga qytetarët.

“Policia e Kosovës ka bërë verifikimin e saj dhe po ashtu publikimin e lajmit se personi i apostrofuar në media, i sulmuar tani në dy raste, është ndaluar dhe verifikuar disa herë nga Policia, dhe se e njëjta nuk është person i dyshuar dhe nuk është e përfshirë në asnjë rast të vjedhjeve, e as të kidnapimeve siç pretendohet në opinion”, ka thënë Kelani.

Sipas policisë, gruaja në fjalë nuk paraqet rrezik për askënd dhe se nuk ka nevojë për shqetësim në opinion sepse deri më tani, nuk ka pasur asnjë viktimë të raportimit të ndonjë rasti të tillë ndaj saj.

Andaj, Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët dhe mediat se personi në fjalë, nuk është person që paraqet rrezik për askënd dhe duhet të gëzoj të gjitha të drejtat e lirisë së lëvizjes së lirë, pa u penguar nga askush.

“Të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të asnjë komuniteti. Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, me qëllim të parandalimit të incidenteve të tilla dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në raste sikurse ai në Lipjan dhe Ferizaj”, ka deklaruar më tej Kelani.

Gjithashtu, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kanë bashkëpunuar me institucionet kompetente për strehimin e viktimës.

https://kallxo.com/sulmohet-perseri-gruaja-rome-kesaj-here-ne-ferizaj/