Operacioni për kërkimin e policëve të zhdukur, Foto: Kallxo.com

Policia e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë po bashkëpunojnë për gjetjen e dy policëve të zhdukur

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma ka thënë se gjatë ditës së sotme ka qenë pjesë e operacionit të kërkimit të dy policëve të zhdukur.

Suma ka deklaruar se në mëngjesin e sotëm përmes një postimi në ueb-faqen e komunës kanë kërkuar që të vijnë në ndihmë edhe banorët e Hanit të Elezit për kërkimin e policëve të zhdukur.

“Kemi pa një mobilizim të mirë nga ana e qytetarëve, ata na kanë ardhur në ndihmë. Edhe unë vet deri pak më parë isha pjesë e kërkimit të dy policëve”, tha Suma.

I pari i Hanit të Elezit ka thënë se policia maqedonase dhe ajo kosovare janë duke bashkëpunuar në mes vete në operacionin e kërkimit për dy policët e zhdukur.

Suma ka thënë se policët mund të kontrollojnë/ patrullojnë 5 kilometra në territore respektive.

“FSK nuk mundet me dalë pa leje të autoriteteve maqedonase në territorin e Maqedonisë, në vendin ku po dyshohet se mund të gjenden trupat e dy policëve të humbur mbrëmë pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit”, ka theksuar Suma.