Foto: Ilustrim

Policia e Gatshme për Ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit

Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë kohës kur do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Presidentit të Republikës së Kosovës

Ceremonia do të zhvillohet nesër, më 8 prill, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Policia njofton se do të shtohen masat e sigurisë para, gjatë dhe deri në përfundim të ceremonisë. “PK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër dhe jashtë saj”, njofton Policia përmes një komunikate.

Me qëllim të shmangies së tollovive dhe krijimit të kolonave të mundshme në trafik, Policia e Kosovës do të ndalojë dhe ridrejtojë të gjitha veturat, përveç atyre të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.

Sipas Policisë do të bllokohet tërësisht rruga “Agim Ramadani” nga ora 09:00 deri në përfundim të ceremonisë. Gjithashtu do të bllokohen edhe rrugicat që lidhen me këtë rrugë.

Po ashtu, do të bëhet edhe ridrejtimi dhe bllokimi i kohëpaskohshëm i rrugës që çon në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, në intervale të shkurta kohore përderisa të kalojnë eskortat me delegacione të larta.