Foto-ilustrim

Policia dhe qytetarët shpëtojnë një grua nga mbytja në lumin Seman

Policia shqiptare në bashkëpunim me qytetarët ia kanë dalë të shpëtojnë një grua të cilën po e merrte rrjedha e lumit.

Rasti sipas Policisë ka ndodhur sot rreth orës 16:15, në vendin e quajtur “Çeligrad”, në Fier.

2 punonjës policie konstatuan se në ujërat e lumit Seman ishte duke u mbytur shtetasja M.T., 51 vjeçe, banuese në Fier.

“Menjëherë punonjësit e policisë shkojnë në ndihmë të kësaj shtetaseje dhe në bashkëpunim me qytetarët bëjnë të mundur shpëtimin e saj”, njofton Policia e Shtetit.

Shtetasja M.T. është dërguar me ambulancë në Spitalin Rajonal të Fierit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.