Policia dhe Prokuroria flasin për më të rejat rreth vrasjes me eksploziv në Gjakovë

Lidhur me vrasjen me eksploziv të H.A. në Smolicë të Gjakovës, KALLXO.com ka kontaktuar Policinë dhe Prokurorinë e Gjakovës për të kuptuar nëse ka ndonjë pistë që do të çonte tek autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit në derën e oborrit të shtëpisë së viktimës.

Komandanti i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Krist Gjokaj, ka deklaruar për KALLXO.com se trupi i viktimës është në obduksion dhe se janë në pritje për të mësuar rrethanat e ngjarjes.

“Aktualisht nuk kemi as të dyshuar dhe as të arrestuar. Trupi i viktimës është në obduksion për të mësuar rrethanat e ngjarjes. Më tutje nuk kam koment, sepse mund t’i dëmtoj hetimet”, tha Gjokaj për KALLXO.com.

Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, tha për KALLXO.com se ende nuk ka të dyshuar dhe as të arrestuar lidhur me rastin.

“Ende nuk ka asnjë person që është cilësuar si i dyshuar dhe asnjë person nuk është arrestuar në lidhje me rastin e shpërthimit të bombës në Gjakovë”, tha kryeprokurori Selimaj për KALLXO.com.

Një person me inicialet H.A i moshës 61 vjeçare, ka mbetur i vdekur si pasojë e shpërthimit të eksplozivit në derë të shtëpisë së tij, në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Smolicë të Gjakovës.

KALLXO.com solli sot gjatë ditës pamje nga vendi i ngjarjes.

https://kallxo.com/nje-i-vrare-nga-shperthimi-ne-gjakove/

https://kallxo.com/policia-jep-detaje-per-vrasjen-e-sotme-ne-smolice-te-gjakoves/

https://kallxo.com/prokuroria-e-gjakoves-viktima-u-vra-nga-eksplozivi-i-vendosur-ne-dere-te-shtepise/