Policia dhe Opozita me Shifra të Përafërta për Malishevën

Kalkulimi i Policisë së Kosovës dhe partive opozitare për numrin e protestuesve në Malishevë, për herë të parë prej se kanë nisur protestat në nivel lokal, del të jetë i përafërt.

Halil Morina, komandanti i Stacionit Policor në Malishevë tha që numri i protestuesve sipas përllogaritjeve të PK-së ka qenë rreth 900.

“Sipas vlerësimeve tona numri i protestuesve në Malishevë ka qenë rreth 900,” tha Morina.

Për numrin e pjesëmarrësve në këtë qytet, vlerësime të përafërta ka edhe opozita.

“Numri i protestuesve atje ka qenë rreth 1 mijë,” tha Frashër Krasniqi, zëdhënës i “Vetëvendosjes”.

Në manifestimin e 12 dhjetorit në Gjilan, policia numrin e të tubuarve e kishte vlerësuar nga 1 mijë në 1 mijë e 500, ndërsa opozita kishte thënë se në përkrahje të kërkesave të saj manifestuan 5 mijë qytetarë.

Edhe në manifestimin në Pejë më 16 dhjetor, policia kishte thënë se kanë marrë pjesë 2 mijë persona, ndërsa opozita mbi 5 mijë.

Manifestimi i radhës i subjekteve opozitare kundër dy marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel e Vjenë pritet të mbahet të shtunën në qytetin e Prizrenit.