REPORTER.al

Policia bastis shtëpitë e gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin

Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi bastisjen e banesave të 3 gjyqtarëve të Apelit, të cilët javën që shkoi zbutën dënimin e Dritan Dajtit për vrasjen e 4 policëve, nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie.

Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e 3 gjyqtarëve të Apelit që zbutën dënimin për Dritan Dajtin. Policia kontrolloi shtëpitë e gjyqtarëve Skënder Daminit në Vlorë e Tiranë, Aleks Nikollit në Lezhë dhe Petrit Aliaj në Sarandë.

Të armatosur me kallashnikovë,  forca speciale të policisë ushtruan kontrolle në mëngjes në shtëpitë e tre gjykatësve të Apelit të cilët vendosën zbutjen e dënimit për Dritan Dajtin, i dënuar për vrasjen e katër oficerëve të policisë në vitin 2009.

Kontrollet mësohet se u autorizuan nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rëndë pasditen e 14 shkurtit dhe janë zhvilluar në shtëpitë e tre gjykatësve në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Sarandë.

Policia e Shtetit në një deklaratë për shtyp njoftoi se kishte sekuestruar para, municione dhe sende të tjera.

“Operacioni policor vazhdon edhe në këto momente, por mund të konfirmojmë se deri tani janë gjetur një sasi municioni, mijëra euro dhe prova të tjera, të cilat do të administrohen nga organet ligjzbatuese”, thuhet në njoftimin për mediat.

Ende është e paqartë sasia e parave të kapura, ku janë gjetur ato dhe nëse ndaj tre gjyqtarëve ka akuza konkrete.

Në njoftimin për shtyp policia vetëm konfirmoi “aksionin e ndërmarrë nga forcat speciale, në zbatim të urdhrit nr. 89, datë 14 shkurt 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për të ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve, të cilët zbutën dënimin e Dritan Dajtit”.

I pyetur nga mediat e pranishme gjatë kontrollit të banesës së tij në Tiranë, gjyqtari Skënder Damini nuk u përgjigj. Mbrojtësi i tij tha se ndaj tij nuk kishte masë sigurie.

I pyetur nga BIRN, kreu i shoqatës së gjyqtarëve, Gerd Hoxha u shpreh se nuk mund të shprehej për rastet specifike pasi kishte një vendim gjyqësor.

“Ne jemi në favor të llogaridhënies si parim,” nënvizoi Hoxha.

Tre gjykatësit ndaj të cilëve po ekzekutohen urdhëra të kontrollit vendosën në 8 shkurt të pranonin kërkesën për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, duke e shpëtuar atë automatikisht nga burgimi i përjetshëm. Gjykata në fund vendosi dënimin e Dajtit me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në vitin 2009. Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se do të bënte rekurs.

Dritan Dajti ishte dënuar pas një procesi të stërzgjatur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tre dokumente policie, “Mbajtja pa   të drejtë e uniformës” duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit.

Menjëherë pas vendimit opozita fajësoi qeverinë për të. “Një nga kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri, vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, është lënë sot praktikisht i lirë nën kujdesin e plotë të Edi Ramës”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga zyra e shtypit e PD.

Qeveria nuk iu përgjigj menjëherë akuzave, por të dielën dy ditë pas vendimit, Ministri i Brendshëm dhe ministria e Drejtësisë bënë dy deklarata ku dënonin vendimin dhe paralajmëruan masa ndaj gjyqtarëve, ndërsa akuzuan opozitën se kishte ushqyer këtë sistem drejtësie. Ministri i Brendshëm po ashtu paralajmëroi vënien në veprim të operacionit “Forca e Ligjit”, për atë që e quajti “atentat brutal ndaj drejtësisë”.

Këtë të hënë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni bëri një deklaratë të dytë, ku njoftoi se i kishte kërkuar Këshillit të Lartë gjyqësorë procedim disiplinorë dhe shkarkim për tre gjyqtarët që kishin vendosur sipas saj në shkelje procedurale për të pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar.  “Gjyqtarët Aleks Nikolli, Petrit Alia dhe Skënder Damini, kanë pranuar kërkesë jashtë afateve të parashikuara nga ligji”, tha ministrja.

KLGJ në një njoftim për shtyp bëri me dije se do shqyrtonte me përparësi kërkesën, por opozita ka vënë në dyshim mundësitë e masave disiplinore pasi pjesë të ligjit “Për statusin e gjyqtarit” që parashikon këtë situatë janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.