Policia Asgjëson Çantën e Dyshimtë

Policia e Kosovës ka neutralizuar pak pas mesditës një çantë të dyshimtë, e cila ishte lënë e braktisur në rrugën “Dardania”, në Fushë-Kosovë.

Forcat policore kishin bllokuar vendin ku ndodhej kjo çantë e dyshimtë dhe nuk kanë lejuar askënd të kalonte.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, kishte treguar për KALLXO.com se njësitet përkatëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të verifikuar se për çfarë bëhej fjalë. “Është një çantë e braktisur. Ka mundësi të mos ketë kurrgjë, por mund të jetë edhe ndonjë mjet shpërthyes” kishte thënë ajo.

Por, më vonë, zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, tregoi për KALLXO.com se njësitë e specializuara të policisë e kanë eksploduar çantën, e cila, sipas tij, ishte e zbrazët.

Zëdhënësi Topalli tha se nuk ka pasur nevojë të evakuohet shkolla “Mihal Grameno”, e cila nuk është shumë larg vendit ku është gjetur çanta.