Foto: Ilustrim

Policia arreston të dyshuarit që tentuan të vidhnin një depo

Policia ka arrestuar katër persona për vjedhje të rënda në Komunën e Novobërdës.

Një tentim vjedhje të një depoje në fshatin Stanishor të shtunën ka bërë që policia ti vihet nga pas të dyshuarve.

Policia e Rajonit të Gjilanit përmes një njoftimi ka thënë se orët e para të mëngjesit të së shtunës me anë të një operacioni për të parandaluar veprat penale, në fshatin Strazhë të Komunës së Novobërdës kanë ndaluar një veturë me pesë persona të dyshuar.

Gjatë kontrollit të veturës është gjetur një thikë me këllëf e vendosur në një qante në bagazh në ulësen e pasme, një gëzhojë e armës së gjuetisë, një palë dorëza të zeza dhe dy kaçavida.

Të dyshuarit me të vërejtur policinë kanë tentuar që të hedhin nga vetura një pistoletë.

Arma sipas njoftimit është gjetur dhe konfiskuar ndërsa policia si prova materiale kanë gjetur e konfiskuar edhe mjete të tjera të dyshuara.

Sipas policisë, të gjitha këto mjete të gjetura janë të përshtatshme për veprën penale vjedhje.  Njësitet e hetimeve rajonale  se bashku me prokurorin e shtetit kanë shkuar në stacionin e policisë në Novobërdë me qëllim të zbardhjes së rastit të ndaljes së këtyre të dyshuarve.

Në fshatin Stanishor, disa persona kanë tentuar të vjedhin një depo dhe sipas policisë duke u bazuar në kohën e tentim vjedhjes, janë ngritur dyshimet se personat e arrestuar e të përmendur më lartë janë të involvuar në këtë rast.

Katër të dyshuar që të gjithë shtetas të Kosovës Xh. Sh, M. S, D.H, P.R, me vendbanime nga vende të ndryshme të Kosovës, me urdhër te prokurorit të shtetit janë dërguar në zyrat e hetuesve rajonal në Gjilan të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve të tyre mbrojtës.

Pas intervistimit, janë gjete prova të qëndrueshme se të dyshuarit në bashkë veprim kanë qenë të inkriminuar në rastin e tentim vjedhjes, në depon e sipër përmendur.

Policia ka shtuar në njoftim se të dyshuarit, dyshohet se janë të përfshirë edhe në raste të tjera të vjedhjeve.

Prokurori i shtetit ndaj tyre ka lëshuar vendim mbi ndalimin për 48 orë, nën dyshimin për vepre penale bashkim kriminal, mbajtje në pronësi, kontrolle posedim i pa autorizuar i Armës dhe vjedhje e rëndë në tentativë.

I dyshuari i pestë me inicialet L.A i njohur në polici ndodhet në arrati dhe është në kërkim të policisë.