Policia arreston pronarët e poliklinikës, dyshohen se falsifikuan dokumente

Dy shtetas të Kosovës, një shqiptar dhe një serbe, janë arrestuar nga policia gjatë ditës së sotme.

Një hetim disajavor dhe një operacion i policisë gjatë ditës së sotme në rajonin e Prishtinës ka vënë në pranga dy persona nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.

KALLXO.com mëson se të dyshuarit kanë përdorur disa dokumentacione dhe diploma të disa personave për të hapur një poliklinikë në Prishtinë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e policisë së Drejtorisë së Përgjithshme, Daut Hoxha, i cili ka konfirmuar rastin.

Ai tha se rasti është koduar me emrin “Poliklinika”.

“Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve relevante, hetimeve të kryera disa javore dhe bashkëpunimit aktiv me qytetarët ka realizuar sot një operacion policor të koduar me emrin “Poliklinika” dhe si rezultat janë arrestuar 2 persona të dyshuar; një mashkull/shqiptar kosovar dhe një femër serbe kosovare. Poashtu nga ministria kompetente ( e Shëndetësisë) është mbyllur poliklinika në fjalë”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Ai tregoi edhe se pse janë përdorur dokumentacioni i personave të tjerë.

“Personat dyshohet se kanë kryer veprat penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” “Mashtrim” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme” te specifikuara me kodin penal te RKS-së, duke keqpërdorur dokumente dhe diploma me qëllim që poliklinikën ta licencojnë në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha tutje Hoxha.

Sipas Zëdhënësit Hoxha dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit.