Policia Arreston Gjashtë Persona për Kontrabandim me Mallra

Policia ka arritur që të arrestojë gjashtë persona dhe të konfiskojë rreth 4 kilogramë stoli ari, 5 kilogramë stoli argjendi, tri revole të kalibrave të ndryshëm, 97 fishekë, një veturë dhe tre telefona.

Sipas një njoftimi të policisë, personat e arrestuar dyshohen për kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga tatimi.

Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, gjatë ditës së djeshme në pesë rajone Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Gjilan, është kryer kontrolli i lokaleve të argjendarive, pronë e të dyshuarve, me qëllim të mbledhjes të provave për veprimtarinë kriminale.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Doganën e Kosovës, pas hetimeve intensive të kryera, lidhur me veprimtarinë kriminale të të dyshuarve që në vazhdimësi merreshin me kryerjen e veprave penale të kontrabandimit me mallra dhe shmangien nga tatimi, ka arrestuar 31 vjeçarin me inicialet H. R, 36 vjeçarin me inicialet S. R, 39 vjeçarin me inicialet V. K, 57 vjecarin me inicialet V. H, 57 vjeçarin tjetër me inicialet B. M dhe 30 vjeçarin me inicialet F. K.

Dy nga gjashtë të arrestuarit janë shtetas të Maqedonisë, ku sipas policisë të njëjtit kanë bërë furnizimin me mallra nga Maqedonia, duke ikur nga pagesa doganore, ndërsa katër të dyshuarit e tjerë shtetas të Kosovës, i janë shmangur pagesës të tatimit.

Personat e dyshuar, dy prej tyre në bazë të urdhrit të prokurorit dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore, ndërkaq katër janë liruar në procedurë të rregullt.