Ilustrim

Policia arreston fajdexhiun në flagrancë

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të koduar, të quajtur “Era” ku ka arrestuar një person të dyshuar për fajde.

Në këtë operacion policia ka arrestuar personin e kapur në flagrancë duke pranuar një shumë të madhe parash, 1,200.00 euro.

Sipas policisë personi ka kryer veprën penale “fajde” nga neni 331, i KPRK-së.  Personi i lartcekur, me qëllim të përfitimit të parave në mënyrë të kundërligjshme me kamatë (fajde), ka kontraktuar shuma të ndryshme të parave, duke përfituar kështu shumën prej 70,000.00 euro.

Gjatë operacionit, pas urdhëresës verbale nga gjyqtari procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është kontrolluar lokacioni i shtëpisë së të dyshuarit. Gjatë kontrollimit është gjetur një pushkë gjuetie me leje me afat të skaduar, të cilën e ka sekuestruar Njësia e Hetimeve nga Stacioni Policor Veriu në Prishtinë.

Gjithashtu gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar edhe para në vlerë prej 1,500,00 euro, një telefon Iphone si dhe një shufër metalike.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim personi i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë.