Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia Arreston 3 Persona, Dyshohen për Vjedhje në Malësi të Re

Policia ka njoftuar se tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë hyrë për të vjedhur një shtëpi.

Sipas njoftimit të Policisë së Rajonit të Prizrenit, mbrëmë rreth orës 23:00 në fshatin Malësi e Re, tre të dyshuarit kishin hyrë në një shtëpi për të vjedhur.

Vëllai i pronarit të shtëpisë, e cila ishte cak i hajnave, i kishte vërejtur këta të fundit, të cilët më pas kanë kërcyer nga ballkoni i shtëpisë dhe kanë sulmuar viktimën.

Përveç që e sulmuan, hajnat i vodhën edhe portofolin me dokumente personale dhe 120 euro.

Pas marrjes së informatës, hetuesit policorë me anë të bashkëpunimit me qytetarët e fshatit, kanë arritur që të identifikojnë dhe ndalojnë veturën me targa të Shqipërisë, e cila dyshohet se u përdor gjatë vjedhjes.

Pas arrestimit të dyshuarit me inicialet F.L., J.J. dhe A.B. janë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe konfiskuar gjësende të ndryshme të vjedhura si pajisje amvisërie, bizhuteri dhe një sasi e substancave narkotike.

Ndër gjësendet e gjetura është edhe portofoli i vjedhur nga vëllai i pronarit të shtëpisë ku të dyshuarit hynë për të vjedhur.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë ndaluar nën masën e arrestit policor.