Policia Apelon për Vigjilencë në Komunikacion

Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor të shtojnë vigjilencën dhe t’u përmbahen rregullave në trafik gjatë qarkullimit nëpër rrugë pas situatës së krijuar nga të reshurat e borës.

Duke iu referuar informacioneve zyrtare të pranuara nga të gjitha drejtoritë rajonale policore, përkundër këtyre të reshurave të borës të gjitha rrugët rajonale, magjistrale dhe ato urbane në Kosovë janë të kalueshme edhe pse në disa prej tyre kalimi është më i vështirësuar dhe kryesisht për mjete të rënda të transportit, thuhet në një njoftim të Policisë.

“Rrugët në të cilat janë paraqitur vështirësi për qarkullim janë kryesisht rrugët ku përfshihen zonat malore por edhe disa rrugë dytësore, në fshatra të komunave të ndryshme”, thuhet më tej në komunikatë.

Policia u apelon të gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, t’u përmbahen rregullave të trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore në pajtim me Ligjin mbi trafikun rrugor, në mënyrë që edhe ata të kontribuojnë në reduktimin apo shmangien e aksidenteve në trafik.

Sipas të dhënave zyrtare policore, gjatë 24 orëve të kaluara në tërë vendin kanë ndodhur 15 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa numri i aksidenteve pa lëndime ka shkuar në 45.

KALLXO.com raportoi dje se duke nisur nga sot në Kosovë do të ketë reshje të borës dhe ulje të madhe të temperaturave.

http://kallxo.com/nga-neser-bore-e-acar-ne-kosove/