Polici i vrarë në Istog, Izet Demaj. Foto: Kallxo.com
Polici Izet Demaj do të varroset nesër pranë dëshmorëve të Koshares
Izet Demaj, polici i vrarë gjatë grabitjes në një bankë në Istog do të varroset nesër në Koshare nën patronatin e Policisë së Kosovës.
Nisja e kortezhit nga fshati Vrellë e Istogut drejt varrezave të dëshmorëve në Koshare do të bëhet në orën 11:00.
Nga ora 13:30 deri në orën 14:00 do të zhvillohen homazhet pranë arkivolit të policit Demaj e më pas do të vazhdojnë edhe fjalimet në nderim të tij.
Ndërsa ceremonia e varrimit do të filloj nga ora 14:30.
Demaj i cili humbi jetën në moshën 42 vjeç, ishte bërë pjesëtar i Policisë së Kosovës që nga 8 janari i vitit 2001.
Ai po ashtu ka qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Izet Demaj është vrarë dje gjatë intervenimit për të parandaluar një grabitje banke në Istog.
Vendi i varrimit është ndërruar pasi sot gjatë ditës ishte paralajmëruar që varrimi i tij do të bëhet nesër në fshatin Vrellë të Istogut sipas protokollit të Policisë së Kosovës.
Agjenda:
Ora 11:00 – nisja e kortezhit nga fshati Vrellë e Istogut për në varrezat e dëshmorëve në Koshare,
Ora 13:30 – arritja e arkivolit në Koshare,
Ora 13:30 -14:00 – homazhe,
Ora 14:00 -14:30 – fjalimet,
Ora 14:30 – ceremonia e varrimit.