Ilustrim
Polici i Kosovës rrëfehet për vrasjet e pasluftës përfshirë vrasjen e kolegut
Në gjykimin për sulmin ndaj zyrtarëve policorë të UNMIK-ut dhe Kosovës, ngjarje kjo e cila ka ndodhur në vitin 2004, sulm për të cilin akuzohen Bedri Krasniqi e Alban Dizdari, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar njëri nga policët i cili kishte qenë në veturën e cila kishte qenë cak i sulmit.
Polici Basri Mulliqi tha se në kohën kur kishte ndodhur rasti ai ka qenë polic në patrullë në Podujevë.
Ndonëse kanë kaluar disa vite, Mulliqi tha se datën 23 mars 2004 asnjëherë nuk do ta harrojë.
“Edhe njëmijë vite me m’i dhanë Zoti nuk e harroj atë natë kurrë”, u shpreh ai.
Në natën e 23 marsit të vitit 2004, Mulliqi tha se ka qenë në plan operativ për 12 orë së bashku në një veturë me një pjesëtar të UNMIK-ut nga Gana, i cili ka qenë duke vozitur, kolegun e tij Arsim Rrustollin dhe me përkthyesin Ramë Zeneli.
“Atë ditë punën e kam filluar në ora 20:00. Ka qenë plan operativ për shkak të gjendjes që ka pasur trazira. E kemi patrulluar rrugën Podujevë-Prishtinë. Në atë ditë kemi filluar në 20:00 ndërsa në 21:45 ka ndodhur rasti. Ne kemi qenë duke patrulluar dhe jemi përgatitur me e bë një pikë kontrolli në fshatin Lluzhan”, deklaroi dëshmitari.
Ai tha se pak para se të mbërrinin te vendi ku ishte plani për t’u bërë pika e kontrollit kanë hasur në një autobus me pasagjerë, i cili sipas dëshmitarit ka qenë pa targa të regjistrimit duke shkuar nga Podujeva në Prishtinë.
“Autobusi nuk ishte ndalë në vendin e duhur në vend stacion por ishte ndalë në rrugë… Ne i kemi dhënë shenjë me u ndalu por nuk na ka vërejtur autobusi… Pastaj e kemi ndezë rrotacionin dhe i kemi dalë përpara… Dolëm nga vetura unë dhe Arsimi dhe ia kërkuam dokumentet. I thamë autobusit hajde prapa neve”, deklaroi polici që në këtë rast është dëshmitar.
Ai tha se pasi që ai ishte i ulur prapa në veturë gjatë gjithë kohës ka vrojtuar nëse autobusi po ndiqte urdhrat për të shkuar prapa tyre.
“Siç thash që kam qenë duke e përcjell prapa autobusin, kur papritmas kam vërejtur disa njerëz që kanë qenë me uniforma, me pancirë, që po na afrohen. I kam parë 4 deri në 5 vetë. Unë i kam parë duke ardhur në këmbë në drejtim të veturës tonë, por kam menduar se mos janë KFOR apo UNMIK. Ne ishim duke u ndal për t’u marrë me autobusin që e ndaluam më herët”, tha më tej dëshmitari.
Më pastaj dëshmitari rrëfeu se si kishte ndodhur edhe sulmi ndaj tyre.
“Kur ata janë afru më afër na kanë shti në kllapë – gjysmë rreth. Pasi që kanë arritë aty e kam dëgju një zë në gjuhën serbe dhe kanë sha. Rasti ka ndodhë shumë shpejtë, s’kam pasë kohë as me i lajmëru kolegët. Aty unë kam menduar se këtu shpëtim nuk ka, u duk puna që është shumë e nxehtë situata, brimë e madhe ka qenë. Kemi hequr shumë prej asaj gjuhë qysh prej që kam lindur. Mu ka lidhë menjëherë thash mos u kthyen serbët dhe papritmas kanë filluar krismat, shumë shpejtë prej 4-5 anëve. S’kemi pasë kohë me komuniku me kolegët. 99% kam menduar që jam i vdekur por me u dorëzu jo”, rrëfeu dëshmitari.
Më tej dëshmitari i tregoi trupit gjykues se si kishte arritur ai që t’i shpëtonte atij sulmi.
“Mu kujtua një koleg S.M. dy apo tre muaj më herët iu ka vra një koleg i tij. Kur e kam pyetur qysh shpëtove ka thënë se veç e kam çelë veturën dhe kam rënë në tokë. Në atë mënyrë kam vepru edhe unë… Me njërën dorë e kam marrë revolen ndërsa derën me dorën e majtë e kam çelë dhe kam ra në tokë duke u rrokullisë, kam ra në tokë me shpinë, vetura ka qenë në lëvizje”, tha polici Basri Mulliqi.
Pastaj Mulliqi tregoi se pasi që vetura ishte përplasur, tre persona kanë shkuar në drejtim të veturës, e më qëllim që t’i mbroj kolegët e tij, tha se ka shtënë në drejtim të atyre personave.
“Kam shti në drejtim të atyre personave me qëllim me e mbrojt veten dhe kolegët. Ka folë njëri shqip, ka thënë: Po na gjuan dikush. Dhe e kam kuptu që janë shqiptarë. E di që kanë qenë me armë të gjata. Tre njëherë i kam parë dhe kam shtënë 7-8 plumba në drejtim të tyre”, deklaroi Mulliqi.
Ai tha se arsyeja se pse kishte shtënë në drejtim personave që i kishin sulmuar ka qenë për vetëmbrojtje.
Madje dëshmitari tha se në një moment i ka pasur në shënjestër dhe ka mundur t’i vrasë por që pasi që i ishte larguar rrezikut për jetë nuk kishte qëlluar mbi ta.
“Pastaj e kam pa njërin e kam pa që po shtien në drejtim të kolegut tim rafalle pa u ndal. Pastaj kur më kanë mbetë edhe 5-6 fishekë kam gjuajtur rafallë në drejtim të atij personit që po ma rrezikon kolegun. Ai personi pastaj ka bërtit dhe ka sha, ka thënë: O, më rroki plumbi! Unë për me u mbrojt nuk kam shtënë por e kam pasur në shënjestër shumë mirë. Papritmas nga ana që janë larguar kanë ardhur dy persona, pasi atë vetëm e lëshuan këmbët dhe e kanë ngre zhag. Unë i kam pasur në shënjestër të tre por nuk kam dashur me shtënë në ta, pastaj ata janë larguar”, deklaroi dëshmitari kyç i ngjarjes kritike.
Më tej pasi që ishin larguar personat që i kishin sulmuar, dëshmitari tha se ai ishte afruar te vetura për të parë gjendjen e kolegëve të tij, me ç ‘rast kishte vërejtur se polici i UNMIK-ut dhe kolegu i tij Arsim Rrustolli kishin ndërruar jetë ndërsa përkthyesi Ramë Zeneli ishte plagosur.
“Pastaj unë jam çu dhe kam shku te kolegu im Arsimi. Atij iu kishte mbushë goja shkumë e gjak dhe pothuajse veç dha shpirt. S’ka mundur asgjë as me fol as asgjë përveç dokumentet e autobusit në dorë i ka pasë. Kam shku pas veturës prapa dera çelë kishte qenë, shoferi – polici ndërkombëtar ishte bërë llom nga plumbat. Përkthyesi ishte i plagosur, ishte poshtë ratë të këmbët. E kam thirrë bazën në Podujevë 4-5 herë e kam thirrë. Përkthyesi ka qenë në gjendje shumë të rëndë”, tha dëshmitari.
Më pas ai tha se e kishte ndalë një veturë që kishte qenë duke kaluar rastësisht aty dhe me atë veturë e kishte dërguar përkthyesin për në spital.
“E kam ndalë një veturë një Golf që ka kalu atypari. 200 metra prej aty e kam thirr bazën dhe me ta jam kthye me ta në vend të ngjarjes”, tha polici Basri Mulliqi.
Ky rast gjyqësor ka të bëjë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve policorë, njëri i UNMIK-ut dhe tjetri i Kosovës (atëherë Shërbimi Policor i Kosovës), tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të UNMIK-ut, që ka ndodhur më 23 mars 2004 gjatë trazirave të cilat kishin filluar pas pretendimeve për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë.
Sipas aktakuzës, më 23 mars 2004, një patrullë e UNMIK-ut ishte sulmuar në Podujevë, në rrugën për në Prishtinë. Një grup i madh i personave shkrepën disa plumba ndaj patrullës së UNMIK-ut duke vrarë vozitësin, policin e UNMIK-ut Possible Essuman dhe zyrtarin e Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli, i cili ishte në ulësen e përparme të udhëtarit, si dhe pësuan lëndime nga plumbat e shkrepur zyrtari policor i Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, të cilët ishin në ulësen e pasme.
https://kallxo.com/dorezohet-aktakuza-per-te-pandehurit-e-trazirave-te-marsit/
Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, ka nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre.
Në vendimin e Supremes thuhet se Bajram Kiqmari e Faik Shaqiri lidhur me këtë rast janë gjykuar disa vite më parë dhe se ndaj tyre ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve.
Me 9 nëntor 2007, Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte shpallur fajtor Shkumbin Mehmetin për sulmin ndaj zyrtarëve të UNMIK-ut.
Gjykata e kishte dënuar me 30 vite burgim.