ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Polici i Graqanicës arrestohet për vjedhje gjatë bastisjes

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot një pjesëtar të Policisë së Kosovës nga stacioni policor në Graqanicë si i dyshuar për vjedhje gjatë një bastisjeje.

Sipas njoftimit, arrestimi i hetuesit policor  është bërë sot rreth orës 14:00 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Përvetësimi i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor”.

IPK ka njoftuar se në lidhje me këtë rast ka kryer bastisjen në dy lokacione, në shtëpinë dhe zyrën  e të dyshuarit, ku janë konfiskuar disa sende në cilësinë e provave materiale.

“Të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjithashtu, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për  zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart”, njofton IPK.