Ilustrim

Polici i akuzuar për manipulim me prova deklarohet i pa fajshëm

Zyrtari policor Nebi Sheqiri, është deklaruar i pafajshëm për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulim me prova.

“Unë jam i pafajshëm për të dy veprat dhe jam viktimë e këtij rasti“, deklaroi i pandehuri Nebi Sheqiri.

Ai akuzohet se duke e keqpërdorur detyrën e tij e kishte lënë në dollap një raport të forenzikës në të cilin kishin dalë gjurmët e personit të dyshuar për një vjedhje të rëndë.

Sipas aktakuzës polici Sheqiri pasi e kishte hetuar një rast të vjedhjes së rëndë e kishte përpiluar një kallëzim penal ndaj disa personave.  Në atë kallëzim penal kryesi i asaj vepre akoma nuk dihej. Mirëpo pasi i kishte arritur raporti i Agjencisë Kosovare të Forenzikës, në të cilin në bazë të gjurmëve të gishtërinjve si kryes i veprës së vjedhjes dyshohej Besim Berisha, zyrtari policor nuk e dërgon raportin në Prokurori por e kishte lë në zyrën e tij në dollap.

Në fjalën hyrëse prokuroja e shtetit Dulina Hamiti, deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor me provat të cilat i ka propozuar prokuroria do të vërtetohet fajësia e të pandehurit Sheqiri.

Ndryshe nga prokuroja, avokati Fehmi Shala deklaroi që me ato prova do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

“Ne pranojmë që të administrohen të gjitha provat në të cilat është thirrur prokuroria dhe se me ato prova do të vërtetohet se i mbrojturi im nuk është kryerës i atyre veprave penale“, deklaroj avokati Shala.