Foto-ilustrim

Polici Hetues nga Mitrovica në Makinën e Drogës

Me një veturë Golf pjesëtari i Policisë së Kosovës Shemsedin G. hetues në krimet rajonale të Mitrovicës dhe mjeku i dhëmbëve Valon M. ia kanë mësyrë veriut të vendit për të transportuar drogën e llojit marihuanë.

Droga e cila bartej me makinën private në të cilën ishte hetuesi Shemsedin G. është ndaluar në veriun e Mitrovicës në një aksion të koordinuar.

KALLXO.com mëson se në aksion e organizuar nga IPK dhe Drejtoria e Drogave policët ranë në pritë në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa në makinën e tyre u zbuluan mbi 7 kilogramë drogë.

Destinimi i drogës ende nuk është i qartë por siç mëson KALLXO.com policia beson se destinacioni ishte Veriu i Mitrovicës. Grupi prej dy personash sipas burimeve brenda policisë me vete  përpos drogës kishin edhe një revole të tipit TT të cilën e barte pasagjeri.

“Jemi duke hetuar se ku është blerë droga dhe ku ka qenë destinimi”, ka thënë një hetues për KALLXO.com.

KALLXO.com më herët konfirmoi arrestimin e zyrtarit policor dhe personit tjetër. Rasti u konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Mitrovicës Besim Hoti.

Ndryshe ky është skandali  i dytë brenda këtij viti ku zyrtarë policorë të rajonit të Mitrovicës arrestohen. Nexhip Gashi, një epror tjetër i këtij rajoni ishte arrestuar për transport të armëve nga Shqipëria.