Pamje nga seanca e gjykimit për vrasjen e Naim Hajrizit - Foto: KALLXO.com

Polici Hetues: Kufoma Ishte Gjysmë e Djegur Kur Arritëm

Në gjykimin ku Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu akuzohen për vrasjen makabre të Naim Hajrizit, dëshmoi polici hetues, Zymer Gashi, njëri nga hetuesit kryesor të rastit.

E para që e mori në pyetje Gashin ishte avokatja e Gëzim Retkocerit, Kosovare Kelmendi, e cila edhe e kishte propozuar atë si dëshmitar.

Avokatja e pyeti se cili ishte indikacioni i parë që i orientoi që pistë të dyshimit të kishin auto-serviset.

Sipas Gashit, indikacioni i parë që si pistë dyshimi të ishin auto-serviset, ka qenë për shkak të një qebe një metër katror i ngjyrosur me disa ngjyra, qesja e najlonit me të cilën ishte mbështjellë koka e të ndjerit, si dhe disa tela me të cilat u ishin lidhur gjymtyrët.

“Këto ishin indikacione që të shikojmë nëpër serviset rrugës Ferizaj- Lipjan dhe të mbledhim informata”, tha polici hetues.

“Ne kur kemi mbërri në vendin e ngjarjes trupi nuk ka pasë shenja jete, ka qenë ende duke u djegur. Kokën e ka pasë të mbuluar me qese te plastikës, të lidhur me një tel, gjysma e trupit veçse ka qenë e djegur”, shtoi ai.

Ai theksoi se auto-servisi nuk kishte qenë e vetmja pistë e hetimit, por kjo pistë ishte forcuar pas kontaktit që kanë pasur me tani të akuzuarin Gëzim Retkoceri.

Gashi tha se paraprakisht derisa ishin duke e kryer shikimin e vendit të ngjarjes ku është gjetur trupi i tani të ndjerit, nga stacioni policor në Lipjan kanë marrë informacione që një person është ndaluar për këtë rast.

Këto informacione sipas Gashit i ka pasur stacioni policor në Lipjan, pasi që të njëjtit ishin njoftuar nga vëllai i viktimës Naim Hajrizi për kontaktin e fundit me Gëzim Retkocerin.

Polici hetues Gashi pothuajse në të gjitha pyetjet e avokatëve mbrojtës, si dhe vetë të akuzuarve është përgjigjur me “nuk e di”, me arsyetimin se ka kaluar kohë e gjatë.

Si rrjedhojë, avokatët mbrojtës në fund të seancës patën vërejtje në dëshminë e tij, ngase sipas tyre në çdo pyetje që çon tek zbardhja e këtij rasti kaq të rëndë, dëshmitari Gashi po përgjigjet se nuk i kujtohet.

Gashi i cili ishte përpiluesi i kallëzimit penal u pyet edhe për emrat të cilët ishin pjesë e kallëzimit penal, e që nuk janë pjesë e këtij procesi gjyqësor.

Sipas tij, Milazim Bejtullahu e Bashkim Bejtullahu, kanë qenë fillimisht pjesë e kallëzimit penal, si dhe Gëzim Retkoceri, derisa Osman Spahiu është bashkangjitur më vonë.

Prokuroria akuzon Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Në korrik të vitit 2015 të akuzuarit ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.