Policët e doganierët udhëtojnë në rrugë alternative pas bllokimit të rrugës nga serbët -FOTO

Policia dhe oficerët e Doganës së Kosovës kanë udhëtuar nëpër rrugë alternative për të bërë ndërrimin në pikën kufitare në Bërnjak pas bllokimit të rrugës në hyrje të Zubin Potokut nga ana e serbëve lokal.

KALLXO.com raportoi para pak çastesh se rruga është bllokuar nga ana e serbëve pas vizitës së presidentit Hashim Thaçi në liqenin e “Ujmanit”.

Burime të KALLXO.com brenda Policisë së Kosovës kanë konfirmuar lajmin se Policia dhe oficerët e Doganës së Kosovës kanë udhëtuar nëpër rrugë alternative pas bllokimit të rrugës për të bërë ndërrimin në pikën kufitare në Bërnjak.

 

Lajmin për KALLXO.com për bllokimin e rrugës e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti.

“Diku pas orës 17 është bllokuar dhe vazhdon të jetë e bllokuar rruga nga rreth 200-300 protestues nga komuniteti serb”, ka thënë për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti.

Ai ka shtuar se rruga është bllokuar në afërsi të një pompe të benzinës në hyrje të Zubin Potokut.

Bllokimi i rrugës nga serbët lokal vije pas vizitës së paparalajmëruar të presidentit të venit Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme në liqenin e Ujmanit dhe në pikën kufitare në Bërnjak.

https://kallxo.com/serbet-bllokojne-rrugen-ne-hyrje-te-zubin-potokut-pas-vizites-se-thacit-ne-ujman/

Kujtojmë se presidenti Thaçi nga atje deklaroi se Kosova është unike dhe e pandarë dhe se për të ishte kënaqësi që t`i shijonte bukuritë e natyrës në atë pjesë të veriut të vendit.

“Është një vizitë krejt normale në mrekullitë e vendit tim që ja vlen për t`i vizituar të gjithë qytetarët e vendit tim. Edhe sot nga ky vend i mrekullueshëm i Republikës së Kosovës dërgoj mesazhin më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova është një unike  e pavarur sovrane”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se në këtë vizitë u takua edhe me qytetarë serb të Mitrovicës Veriore.

“Unë si president i vendit i shërbej të gjithëve pa dallim. Ishte kënaqësi që të pijë kafe me serbët e këtij lokaliteti, dhe në këtë ditë të vikendit në mes të dy qytetarëve, në këtë ditë të vikendit si të ishte një piknik”, tha ai.

https://kallxo.com/thaci-ne-ujman-kosova-eshte-sovrane/

 

Në anën tjetër në Prishtinë sot u mbajt protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti para protestuesve deklaroi sot se protestën e sotme e kanë thirrur kundër presidentit Hashim Thaçi.

“Aq shumë e duam Kosovën Republikë, aq shumë e duam Kosovën Lindore, aq shumë e duam Shqipërinë sa që për asnjë kusht e asnjë rrethanë nuk i nënshtrohemi këtij njeriu. Kjo protestë nuk është as për elektorat as për vota. Në zgjedhje është pushteti në pyetje, por sot është shteti në pikëpyetje. Serbisë borxh nuk i kemi, dhimbje e kompromise të reja nuk pranojmë”, deklaroi Kurti, në protestën e sotme e cila ishte e para pas ndarjes së partisë së tij, ku morën pjesë edhe shumë përfaqësues nga shoqëria civile dhe deputetët e LDK-së Vjosa Osmani dhe Korab Sejdiu.

https://kallxo.com/protestuesit-ne-shesh-fotogaleri/