Policët Dëshmojnë për Vrasjen që Ndodhi në Praninë e Tyre

Policët Besim Sylejmani dhe Hashim Kabashi kanë dëshmuar sot në gjykimin për përleshjen mes familjeve Berisha dhe Avdylaga në lagjen “Arbana” të Prizrenit më 2014.

Në këtë proces gjyqësor Skender Berisha akuzohet për vrasje, ndërsa të akuzuar janë edhe 14 persona të tjerë.

Përleshja tragjike kishte ndodhur në prani të dy policëve dëshmitarë. Madje, polici Hashim Kabashi ishte plagosur nga armët e shkrepura gjatë përleshjes mes familjeve.

Në seancën e sotme, Kabashi rrëfeu në detaje për atë që përjetoi ai me kolegë më 29 qershor 2014.

“Kemi shkuar në vendin e ngjarjes së bashku me kolegët e mi dhe nga grupi i parë jemi njoftuar se një person te shtëpitë me poshtë po shëtitet me Kallashnikov. Pastaj jemi parkuar me veturë dhe ka ardhur grupi i dytë duke na njoftuar se grupi i parë është i armatosur”, tha polici Hashim Kabashi.

Më tej ai tregoi se dy persona janë nisur në drejtim të grupit të parë por janë ndaluar nga ai dhe në këtë moment ka filluar përleshja masive mes dy familjeve.

“Në momentin që ka filluar përleshja masive në mes dy familjeve, i kam dëgjuar dy krisma dhe e kam pa veten që jam plagosur në këmbë. Kam ecur disi deri te makina dhe jam mbrojtur pas makinës”, tha dëshmitari.

Hashim Kabashi tha që e ka pasur jetën në rrezik pasi ka dëgjuar edhe një rafal automatikësh, porse nuk e dinte se nga cila familje janë shkrepur armët.

Ndërsa kolegu i tij, Besim Sylejmani, u ballafaqua me skicën e terrenit të vendit të ngjarjes nga avokati Florim Vërtopi.

Sipas avokatit, dy deklarata të dhëna nga polici nuk përputhen njëra me tjetrën.

Ndërsa, avokati Halil Palaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, tha për KALLXO.com se ka pasur mospërputhje në deklaratat e dëshmitarëve okularë, mes asaj që kanë dhënë në prokurori dhe në gjykatë se nga cila palë kanë ardhur të shtënat.

“Mirëpo gjykata gjatë vazhdimit të procedurës do të vërtetohet se çka në të vërtetë ka ndodhur ditën kritike për këtë vepër penale”, tha avokati.

Familjet Berisha e Avdylaga u përleshën në vitin 2014 për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me një pronë. Nga kjo përleshje masive vdiq një anëtar i familjes Avdylaga.

Nga 15 të akuzuarit, Skender dhe Shpend Berisha ndodhen në paraburgim që nga dita kritike.

Seanca do të vazhdojë nesër me dëshminë e policit të plagosur gjatë përleshjes.

Raportimet e KALLXO.com rreth këtij procesi gjyqësor mund t’i gjeni këtu.