Foto: Abelard Tahiri/Facebook

Polemikë Tahiri - Kosnett për lirimin e të dënuarit për krime lufte

Në vazhdën e kritikave që lidhen me sundimin e ligjit në Kosovë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, reagoi kundër një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë për lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në rastin “Kukësi”.

Pa e përmendur emrin e të dënuarit, i cili është liruar, Kosnett u bëri thirrje institucioneve që të ndalin, siç tha, praktikën e pezullimit të dënimeve dhe abuzimet e kriminelëve të lidhur me sistemin e pushimit shëndetësor.

“Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar lirimin e një të dënuari për krime lufte me 15 vjet burgim, në rastin Kukësi, i cili ka vuajtur 12 muaj (burgim) në 3 vjetët e fundit. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë me sistemin e pushimit shëndetësor dhe dënimet e ndërprera duhet të ndalen”, shkroi Kosnett në Tëitter.

Pas Kosnnet, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një njoftimi ka thënë se Kosnett,  ka cituar tërësisht në mënyrë të gabuar kompetencat që ushtron Ministria e Drejtësisë me rastin e raportimit të një vendimi për pezullim të burgimit që i është bërë një individi të caktuar.

“Dëshiroj të sqaroj opinionin e gjerë, ambasadorin Kosnett dhe mediat e respektuara se Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person. E vetmja kompetencë që ndërlidhë Ministrinë e Drejtësisë me personat e dënuar, është menaxhimi me Qendrat Korrektuese, të cilat, në secilën rrethanë që ndërlidhet me lirimin apo mbajtjen e personave të dënuar brenda burgjeve, zbatojnë vendimet e organeve të pavarura, përkatësisht vendimeve gjyqësore, siç ndodhë rëndom në shtetet ku sundon rendi dhe ligji”, thuhet në reagimin e Tahirit.

Tahiri ka kërkuar dhe ka ftuar që gjeneruesit e këtij lajmi, si dhe Ambasadori Kosnett, të kenë referencë të saktë ligjore mbi procedurat që ndiqen për të liruar ose mbajtur dikë brenda qendrave korrektuese.

“Pas verifikimit të këtyre procedurave, besoj se do ta kenë të qartë se lajmi i lansuar nuk ka asnjë ndërlidhje të asnjë forme me Ministrin dhe me Ministrinë e Drejtësisë. Për fund, dëshiroj të siguroj qytetarët dhe partnerët tanë, se konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformave që e bëjnë të mundur atë, jemi duke i kontribuar pareshtur dhe do t’i kontribuojmë në vazhdimësi, duke llogaritur vazhdimisht edhe në ndihmën e tyre”, thuhet në ragimin e Tahirit.

Javë më parë, Kosnett ka reaguar edhe ndaj zvarritjes së rasteve gjyqësore të zyrtarëve të profilit të lartë, duke marrë shembull rastin e njohur si “Pronto”.

“Sa më i rëndësishëm rasti, aq më gjatë duket se zgjasin procedurat – Kur do të shohim ne progres në rastin ‘Pronto’?”, ka shkruar ambasadori amerikan.