Polemikë Albulena Haxhiu- Abelard Tahiri për sundimin e ligjit

Në seancën e jashtëzakonshme për raportin e progresit, ministri i drejtësisë dhe deputetja e Vetëvendosjes u përplasën rreth sundimit të ligjit.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu i tha ministrit të drejtësisë, Abelard Tahiri, se ai nuk duhet të kishte të drejtë morale të fliste për forcimin e sistemit të drejtësisë ngase, sipas saj, ky sistem ka degraduar për shkak të partisë së tij dhe se vet ministri po bënë presion direkt duke marrë pjesë në mbledhjet me KPK-në dhe KGJK-në.

“Çfarë kërkon ministri i drejtësisë në një mbledhje me dyer të mbyllura [takimi me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial] kur flitet për rastet e korrupsionit, a është kjo ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë?”, pyeti Haxhiu.

Ndërsa ministri Abelard Tahiri tha se ai ka takime të rregullta me KPK-në dhe KGJK-në për shkak të reformës legjislative, por duke ju drejtuar deputetes së Vetëvendosjes, i tha se vetëm kësaj partie nuk i konvenon sundimi i ligjit.

“E nderuar deputete Haxhiu, Juve [Vetëvendosjes] veç sundimi i ligjit nuk ju konvenon në këtë Republikë. Me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial kam takime të rregullta tash e 7 muaj për shkak të koordinimit për agjendën legjislative”, tha Tahiri.

Ai tha se projektligjet që vinë në kuvend, nuk janë vetëm punë e MD-së, por janë produkt i përbashkët i Ministrisë që ai drejton bashkë me KPK-në, KGJK-në, Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe institiucioneve tjera relevante.