LDK

Platforma e LDK-së për dialogun - Dokument

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar platformën e saj për dialogun me Serbinë.

Por në njoftimin e  kësaj partie thuhet se kjo platformë është aprovuar më 23 tetor 2018.

“Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur më 23 tetor 2018, aprovoi: Orientimet bazë të LDK-së për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim të këtij subjekti në Facebook.

Në dokumentin 5 faqësh të kësaj partie, thuhet se LDK-ja konsideron se dialogu duhet të zhvillohet pas zgjedhjeve të reja parlamentare, nga të cilat, sipas tyre, do të dalin institucione legjitime që do ta marrin përgjegjësinë për dialogun.

“Në rrethana të tilla, pas legjitimitetit qytetar, përmes votës së lirë, LDK-ja është e gatshme që të bëhet pjesë aktive e procesit të dialogut”, thuhet në dokument.

Në platformë janë të renditura edhe 7 parime për procesin e negociatave.

“LDK-ja e përkrah dialogun për Marrëveshjen Përfundimtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si shtete të pavarura, për njohje reciproke ndërmjet tyre”, thuhet në pikën 1 të parimeve.

LDK-ja i ka bërë thirrje BE-së, që procesit t’i referohet si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo Prishtinës e Beogradit.

Në platformën e LDK-së, për dialogut përmenden edhe kufijtë e Kosovës.

“LDK-ja vlerëson se Marrëveshja Përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa e cenuar në asnjë formë shtetësinë e Kosovës, të përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; pra kufijtë, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit nuk mund të jenë temë e dialogut”, thuhet ndër të tjerash në dokument.

PLATFORMA-E-DIALOGUT